Këto ditë në Prizren po mbahet edicioni i 22-të i festivalit të filmit, DokuFest.
Edicioni i këtij viti ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, kjo pasi në hapjen e një prej netëve të festivalit, u prezantua një performancë kontraverse dhe me motive nudizmi.
Sido që të jetë, festivali tradicional i cili i sjell freski dhe promovim çdo vit qytetit të Prizrenit dhe Kosovës në veçanti, ka mirëpritur edhe sivjet një numër të madh vizitorët dhe artistë nga industria e filmit.
Tematika e sivjetmë e këtij festivali është quajtur “I AM AI AM I” – frymëzuar nga marrëdhënia mes njeriut dhe inteligjencës artificiale.
DokuFest në organizimin e tij gjigant ka gjetur përkrahje edhe nga institucionet e vendit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë plot 100 mijë euro në mbështetje të festivalit prizrenas, në kuadër të përkrahjes buxhetore vjetore për organizimet e tilla.
Në dokumentin publik të MKRS-së me titull “Përfituesit e thirrjes për projekt-propozimet Kulturore 2023 për Art dhe Trashëgimi Kulturore”, më 30 qershor, janë publikuar listat me OJQ-të përkatëse që kanë fituar mbështetje financiare nga shteti. /Telegrafi/