LAJMI I FUNDIT:

Mitrush Kuteli dekorohet me Urdhrin “Nderi i Kombit”

Mitrush Kuteli dekorohet me Urdhrin “Nderi i Kombit”

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”, Dhimitër Paskon (pas vdekjes), i cili me pseudonimin Mitrush Kuteli u bë një ndër letrarët më të dashur për lexuesin shqiptar anembanë botës.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Presidencë, ishin të pranishëm ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, shkrimtarë, përkthyes, studiues e akademikë të njohur në fushën e letërsisë shqipe, familjarë, miq e të afërm, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Topi ia dorëzoi urdhrin e lartë Pandeli Paskos, djalit të shkrimtarit të madh. Me anë të Urdhrit “Nderi i Kombit”, Presidenti Topi shprehu vlerësimin dhe nderimin më të lartë të shtetit shqiptar për "personalitetin e shquar në lëvrimin e artit poetik dhe modernitetin e prozës shqipe, mjeshtrin e përkthimit të kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, kritikun me stil dhe këndvështrim origjinal në trajtimin e shumë dukurive letrare”,


Në emër të familjarëve dhe të afërmve të Dhimitër Paskos, të pranishmit në këtë ceremoni i përshëndeti djali i tij, Pasko, i cili ndër të tjera shprehu mirënjohjen e thellë për këtë nderim të lartë që “i dha fund odisesë së dekorimit të Kutelit, çfarë është dëshiruar shumë nga populli dhe sidomos nga intelektualët e Pogradecit, të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”. /Telegrafi/