Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti ata të Drenasit se vendimi për hapjen e ish – udhëkryqit të Komoranit ka ardhur pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe bizneseve vendase.

MIT thotë se ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj, njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë.

“Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion.

I rikujtojmë komunës së Drenasit, se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe auto-udhët. Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë moment.

Ju rikujtojmë që dy vitet e fundit komuna e Drenasit, ashtu si edhe të gjitha të tjerat në mbarë Kosovën, janë përfituese të ndihmës së madhe të MIT edhe në projekte lokale, karshi atyre të karakterit rajonal dhe nacional”, thuhet në njoftim.