Site icon Telegrafi

Ministrja Hoxha: Askush s’mund ta ndalë liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka reaguar ndaj përfaqësuesve të disa partive opozitare, të cilët në takim me Grupin e Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) “kanë qenë destruktivë gjatë diskutimeve”.

“Me keqardhje, më duhet të them se përfaqësuesit e disa partive opozitare, në vend se t’i gëzohen kësaj vizite dhe të kontribuojnë pozitivisht, me sjelljen e tyre kanë dezinformuar anëtarët e COWEB dhe kanë qenë destruktiv gjatë diskutimeve”, ka shkruar ministrja Hoxha në Facebook.

Postimi i plotë i ministres Hoxha:

“Sot kemi pasur takime dhe diskutime konstruktive me anëtarët e COWEB për hapat e mëtejmë për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjate ditës së sotme, përfaqësuesit e COWEB kanë pasur takime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës me partitë politike parlamentare.

Me keqardhje, më duhet të them se përfaqësuesit e disa partive opozitare, në vend se t’i gëzohen kësaj vizite dhe të kontribuojnë pozitivisht, me sjelljen e tyre kanë dezinformuar anëtarët e COWEB dhe kanë qenë destruktiv gjatë diskutimeve.

Është e turpshme që disa përfaqësues të partive opozitare i kontribuojnë krijimit të imazhit negativ për vendin dhe po dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave në këtë fazë finale.

Nuk ka asgjë më të turpshme se kur të zgjedhurit e popullit nuk janë në shërbim të këtij të fundit por të agjendave personale.

Janë të njëjtit ata që thoshin se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe përgjigjen më të mirë e morën kur Komisioni Evropian e konfirmoi përmbushjen e kritereve dhe njohu progresin dhe punën e institucioneve tona. Të njëjtën përgjigje do ta marrin sërish, liberalizimi i vizave do të ndodh dhe askush nuk do ta ndaloj lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka shkruar Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version