Site icon Telegrafi

Ministrja Haradinaj-Stublla kthen 50 diplomatë të karrierës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë të ditur se do të kthehen 50 diplomatë të karrierës nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se është krijuar Komisioni për vlerësimin dhe analizimin e të gjitha vendimeve të ish-ministrit Glauk Konjufca.

“E vendosur që gjatë këtij mandati, përfundimisht të ketë rend, të respektohen parimet ligjore në rotacionin e munguar të diplomatëve, dhe njëkohësisht të ruhet funksionaliteti i Shërbimit të Jashtëm, me datë 30 qershor 2020 kam nxjerrë vendim për pezullimin 7 ditor të të gjitha vendimeve jolegjitime të marra nga ish Ministri në detyrë. Menjëherë kemi krijuar Komisionin për vlerësimin dhe analizimin e të gjitha vendimeve të ish Ministrit, duke i studiuar ato rast për rast. Bazuar në rekomandimet e këtij komisioni dhe në kompetencat e mia ligjore, kam nxjerrë vendime të reja, duke përmbyllur fazën e parë të rotacionit në Shërbimin e Jashtëm”, ka thënë Stublla.

“Pikërisht me synimin e realizimit të parimit ligjor të procesit të rotacionit “një në Shërbim, një në Ministri”, është vendosur që nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore këtë vit të kthehen në MPJD pesëdhjetë (50) diplomatë të karrierës”, theksoi ajo.

Më tej ka thënë se i gjithë procesi do të përfundoj për pak javë meqë kemi filluar edhe fazën e dytë të rotacionit, për të cilën Komisioni po vazhdon punën në propozimet, intervistimet dhe konsultimet për dërgimin në misione diplomatike dhe konsullore ata anëtarë të Shërbimit të Jashtëm që i plotësojnë kushtet për t’u dërguar në mision jashtë vendit.

Sipas saj, me këto vendime përveç kthimit të ligjshmërisë dhe parandalimit të defunksionalizimit të Shërbimit të Jashtëm, po ashtu kam qartësuar gjendjen juridike, e cila rrezikonte shkaktimin e dëmit eventual të pariparueshëm për MPJD-në.

“Ritheksoj që asnjëherë, gjatë këtij procesi pjesë e vendimeve të pezulluara dhe vendimeve të nxjerra, NUK JANË vendimet e katërmbëdhjetë (14) konsujve të shkarkuar”.

“I falënderoj diplomatët që kthehen, për shërbimin dhe punën. Pres nga ta që gjithë eksperiencën e tyre në misionet jashtë vendit, t’a sjellin në MPJD, në mënyrë që ta vendosim në lartësinë e duhur, shërbimin dhe politikën e jashtme të shtetit tonë”, ka shkruar në fund.

Exit mobile version