LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë përkrah zonat rurale

Ministria e Bujqësisë përkrah zonat rurale

Banorët e zonave të thella rurale të komunës së Prizrenit, Prishtinës dhe Mitrovicës sivjet do të përfitojnë nga programi special i Ministrisë së Bujqësisë për zonat rurale më pak të zhvilluara. Në kuadër të implementimit të këtij programi, përveç produkteve malore jodrusore që janë pjesë e këtij programi dhe do të mbështeten me 500 mijë euro, me rreth 1 milion euro do të mbështetet edhe prodhimi i qumështit dhe mishit të lopëve, deleve dhe dhive, si dhe përpunimi i prodhimeve të qumështit.

Për të përfituar nga ky program i veçantë, i cili në rastin specifik ka për qëllim rritjen e prodhimtarisë dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimeve blegtorale, më 17 janar është hapur edhe thirrja për aplikim, e cila do të zgjasë 45 ditë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tha se kjo është një masë e re dhe tre komunat janë zgjedhur si pilotkomuna, meqë përfshijnë numër më të madh të popullsisë rurale dhe kanë shtrirje më të gjerë në nivel vendi. “Qëllimi ka qenë që të përfshijmë tre pilot komuna, që kanë shtrirje të përgjithshme qendrore, jugore dhe veriore. Fermat blegtorale në përgjithësi janë të vogla dhe të mesme, ndërsa zonat dallohen për resurse të shumta natyrore”, thotë Behramaj.

Ai tregoi se për projektet me vlerë nën 20 mijë euro në nënmasën e qumështit dhe mishit, fermerët duhet t’i dorëzojnë projektet dhe të përshkruajnë gjendjen ekzistuese në fermë, të përshkruajnë investimet e nevojshme dhe koston e përgjithshme. Ndërsa, për investimet në mbi 20 mijë euro, duhet të dorëzohet edhe një plan biznesi i detajuar. “Për të dyja nënmasat, si për ripërtypësit e imtë, ashtu edhe për lopët qumështore, intensiteti i përkrahjes sonë në ndërtimin e stallave dhe në infrastrukturë është 75 për qind i shpenzimeve, ndërsa 25 për qind duhet t’i mbulojnë vet fermerët”, tha Behramaj.

Kurse, Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, thotë se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata blegtorë që do të arrijnë të përfitojnë nga kjo përkrahje e ministrisë. Sipas tij, në këtë mënyrë po krijohen mundësitë që prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, vit pas viti t’i rrisin kapacitetet prodhuese dhe përpunuese. “Përmes mbështetjes së ministrisë, e cila sivjet e ka rritur përkrahjen financiare në këto projekte, fermerëve po ju krijohen mundësitë që t’i rrisin kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në qumështoret e tyre dhe krahas kësaj shumë fermerë po arrijnë të ngrisin edhe ferma të reja, të cilën e kanë pasur të pamundur ta bëjnë pa këtë përkrahje financiare të ministrisë”, tha Berisha, i cili shtoi se për t’u fuqizuar edhe më shumë ky sektor duhet të rritet ende vëllimi i investimeve.

Ndryshe, mbarështuesit e lopëve qumështore, deleve dhe dhive përmes kësaj përkrahje financiare do të mbështeten në ndërtimin e stallave moderne dhe në blerjen e infrastrukturës përcjellëse, si grazhde për të ushqyer, sistem për furnizim me ujë, vendqëndrime për kafshët e rritura dhe për qengja apo keca. Pastaj, në ndërtimin apo renovimin e dhomave të qumështit, në sisteme të kanalizimit, në deponi të plehut dhe në deponi për ushqim voluminoz dhe në shumë segmente të tjera që ndërlidhen me modernizimin e fermave blegtorale.

Për të përfituar nga ky program, blegtorët duhet të kenë lopë, dele ose dhi të shënuara me matrikuj të Kosovës dhe të posedojnë listën e verifikimit të kafshëve për çdo krerë të lëshuar nga AUV-ja, si dhe të kenë së paku 15 lopë qumështore ose 50 krerë dele apo dhi. /Telegrafi/