Mimoza Kusari-Lila: Kurrë nuk kam folur me Zbogarin për MTI-në (Video)

“Një udhëheqës institucional duhet me ditë se për faktet që ka duhet drejtuar institucioneve përkatëse, e jo të bëjë fushata mediatike. Përfshirja në debat me asi niveli me udhëheqësit e Bashkimit Evropian në Kosovë, është përveçse papjekuri politike, edhe e dëmshme për Kosovën.
Konspiracioni se unë, si një kryetare komune në Gjakovë, të shkojë deri aty sa me hartuar një letër si ajo që flitet. Kjo është zhvlerësim për mua personalisht, por edhe për zotin Zbogar”, ka theksuar Kusari-Lila gjatë një bisede direkte telefonike për Rrokum.
“Kush e ka menduar këtë”, vazhdoi ajo, “ka bërë padrejtësi ndaj Zbogarit, ndaj Bashkimit Europian dhe ndaj meje personalisht”.
“Asnjëherë, pavarësisht raporteve që kam me zotin Zbogar, nuk kemi folur për të tilla gjëra sikurse thuhen në letrën, të cilën unë e kam lexuar kur është publikuar në media”.
“Nëse ministrja aktuale beson se ka vërtetë diçka, ajo duhet tu drejtohet institucioneve, serioze me fakte, e jo me u marrë me fushata të këtij niveli”, ka thënë më tej për Rrokum, kryetarja aktuale e Gjakovës.
Mbi të gjitha, sipas saj, ministrja duhet të ketë në fokus implementimin e marrëveshjeve në funksion të MSA-së.
Por Mimoza Kusari-Lila ka zbuluar edhe një të vërtetë të fshehtë në lidhje me MTI-në: Ministria e MTI, kur është negociuar koalicioni në vitin 2011, ishte planifikuar të mbyllej, për shkak të mosfunksionalitetit. E brenda pak kohe, ajo ministri u vlerësuar prej të gjitha raporteve ndërkombëtare, për ristrukturimin dhe perfomancën e Ministrisë.
Megjithatë, sipas Kusari-Lilës, Raporti i Progresit i BE-së dhe Raporti i Bankës Botërore do ta tregojë se si është ecuria e kësaj ministrie, e atëherë sipas saj, do të mund të japim një opinion të bazuar mbi fakte.
“Sa i përket ristrukturimit të MTI-së, kjo është thënë edhe në raportet e ndërkombëtarëve, kjo është bërë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe standardet ndërkombëtare dhe vendore për këtë qëllim”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila në emisionin Rrokum Rroll, në Televizionin Rrokum. /Telegrafi/





















































