Site icon Telegrafi

Mihrije Braha: Jam 99% drenushë

Thashethemet në jetën e saj prej VIP-i nuk kanë munguar, duke bërë që shpesh Mihrija të ndjehej edhe e mërzitur, megjithëse është shprehur se nuk ka kohë as t’i përgënjeshtrojë fjalët e pavërteta që thuhen ndonjëherë për të. E nëse shikoni videoklipet e saj dhe fotot në plazh, do ta kuptoni se kjo grua, mund të konkurrojë denjësisht me çdo 20-vjeçare, pasi koha duket sikur ka ndalur për të. Së fundmi, Mihrija po merret edhe me aktrim, gjë që është një sprovë e re në karrierën e saj.

Në intervistën e mëposhtme, këngëtarja na rrëfen shumë për veten, muzikën, për jetën e saj me bashkëshortin Naimin e djalin e tyre Platorin…

Intervistoi: Rita Rrjolli

Mihrije, jeni cilësuar prej kohësh si ikonë seksi dhe vazhdoni të mbeteni e tillë. Sipas jush, çfarë duhet të ketë një femër që të jetë seksi?
(Qesh) Kjo është një ndër pyetjet që më bëhet çdo ditë të Zotit që e gdhij, por mos mendoni se ndjehem keq, përkundrazi, ndjehem shumë mirë. Çfarë të them? Një femër duhet të jetë e bukur dhe të ndjehet e bukur, duhet të dijë ta manifestojë atë bukuri dhe të ketë shumë kujdes që të mos e ekzagjerojë me të.

A ndjeheni e vlerësuar kur gazetat, përpos lajmeve që kanë lidhje me karrierën tuaj, shkruajnë edhe për paraqit jen skenike e dhe mënyrën sesi ndryshon Mihrija vit pas viti?
Sigurisht që vetë fakti se kritika merret me mua, më bën të ndjehem e vlerësuar dhe të kuptoj se respektohet puna ime, shfaqja ime, performancat e mia, në segmente të caktuara etj. Sa u përket ndryshimeve, unë veç njihem për këtë fakt, që kam bërë dhe bëj ndryshime përherë, në mënyrë që të vij para opinionit si një imazh i ri e i freskët.

Jam kurioze të di … A ndjeheshit femër seksi në moshën 20 vjeçare?
Po, jam ndjerë dhe që në atë kohë, përveç lumturisë së përjetuar, kam treguar kujdes për kultivimin e paraqitjes së mirë, por edhe për manifestimin e anëve të tjera që ndihmojnë në sensualitetin e një femre.

Çfarë ëndërronit të bëheshit në atë moshë?
Ëndrrat kanë qenë të shumta sepse kur je në një moshë që sapo ke kaluar adoleshencën, mendon se nuk ka asgjë që të të ndalë dhe se do të realizosh çdo ëndërr të mundshme, por unë kam ëndërruar të jem kjo që jam dhe mendoj se goxha ia kam arritur. Të mos harroj pa theksuar se unë, si 20 vjeçare, kam qenë goxha e famshme.

Cili ka qenë dhe është për ju një profesion i mirë, përveç atij si këngëtare?
Po të mos isha këngëtare-artiste, do të isha pedagoge, me siguri!

Sa i rëndësishëm është për ju ndryshimi në pamje, në mënyrë që edhe luku të jetë sa më bashkëkohor?
Është mjaft i rëndësishëm. Ndryshimi në luk dhe mbajtja e tij në kohë janë dy komponentë qenësorë për të renduar suksesshëm kompleksitetin e një artisteje apo një njeriu që frekuenton skenën. Synimi im ka qenë gjithmonë kultivimi i vlerave sa shpirtërore, po aq edhe vizuale.

Cili ka qenë një ndryshim që jua kanë sugjeruar, por s’keni pranuar ta realizoni gjatë një klipi?
Nuk di çfarë të them, s’më kujtohet vetëm se zakonisht kemi biseduar që në fillim me ekipin për çdo finesë të mundshme në një klip apo në një paraqitje. Kam pranuar të bëj ndryshime pa problem …

Jeni shprehur se nuk jeni kundra operacioneve plastike. Duke parë që ky është një fenomen në rritje, a mendoni se adoleshentët duhet të kontrollohen përballë ndërhyrjeve të tilla?
Sigurisht që të rinjtë duhet të kenë kujdes dhe të mos abuzojnë me kërkesat e kësaj natyre vetëm për faktin se janë mundësitë dhe kushtet. Një operacion plastik do ta arsyetoja vetëm nëse bëhet fjalë për një korrigjim fizik që do ta ndryshonte cilësinë e jetës në të dyja anët e saj, në anën shpirtërore dhe në atë fizike.

Cili është suksesi i bukurisë tuaj?
Suksesi i bukurisë sime mund të funksionojë bashkë me aftësitë e mia performuese. E quaj bukurinë një segment më shumë në suksesin skenik.

Dukeni një femër pa komplekse, por duket të keni edhe ju një të tillë, besoj … Cila është ajo gjë që s’e keni bërë deri më sot dhe s’do ta bënit kurrë?
Tani, çfarë t’ju them? S’kam ndonjë kompleks për të cilin nuk do të lejoja rrjedhën e gjërave në skenë, në bashkëpunimet e mia etj. Jam femër pa komplekse! (Qesh)

Mihrije, cila është ajo gjë që s ‘mungon kurrë në çantën tuaj?
Çelësat e makinës dhe buzëkuqi.

Cili është libri i fundit që keni lexuar?
‘Mashtrimi i madh’.

Po shprehja popullore që e përmendni më shumë gjatë ditës?
Hodie mihi eras tibi … (Sot mua, nesër ty).

Thashethemi i adoptimit të vajzës u përgënjeshtrua nga ju, por a do të kishit pasur dëshirë të kishit edhe një vajzë; ta kishit shoqe në jetë?
E kam patur këtë dëshirë unë dhe Naimi, por nuk e realizuam dot.

Kënga juaj ‘Tigreshë’, ishte një sukses. Mihrija, është tigreshë apo drenushë?
99 % jam drenushë, ndërsa 1 %, tigreshë.

Ju kemi parë në bashkëpunime dhe në rryma muzikore të ndryshme. A do ta shohim ndonjëherë Mihrijen duke kënduar hip-hop apo house?
Unë në këngët e mia i kam pak të gërshetuara edhe elemente të këtyre rrymave muzikore.

Si është Mihrija në çift? Jeni ju ajo që drejtoni?
Jam unë ajo që bashkëpunoj dhe që bashkëdrejtoj.

Kush nga ju të dy, ju apo Naimi, i bën ballë më së miri një situate të vështirë?
Unë jam shumë e qetë në situata të vështira. Naimi është shumë i vrullshëm, por edhe është ai që zgjidh problemet.

A ka pasur jeta juaj ndonjë turbulencë të madhe?
Nëse do të quhej turbulencë një dashuri e madhe e pasionante në mes ne të dyve, PO. Përndryshe, turbulenca me përmbajtje dëshpëruese, për fatin tonë, s’kemi pasur asnjëherë.

A mund të ma përkufizoni bashkëshortin me një fjali përmbledhëse?
Shumë i mirë e shumë i zoti. (Buzëqesh)

A keni menduar ndonjëherë, qoftë edhe për një moment, ta lini Kosovën për të jetuar jashtë?
Asnjëherë për të vendosur, por si bisedë të rastit, kam thënë se jashtë Kosove do të jetoja në Tiranë. Ky do të ishte opsioni im i dytë.

/Telegrafi/

Exit mobile version