Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha në këtë tryezë se projekti ka ndihmuar në adresimin e kornizës ligjore për menaxhim të integruar të kufirit dhe narkotikë, gjë që ishte edhe një nga kriteret që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Rezultatet e parapara ishin që kapacitetet e agjencive të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit të ngritën në aspektin e menaxhimit të kufirit dhe të ngritën po ashtu kapacitetet hetuese dhe ligjore si dhe të forcohen mekanizmat e mbledhjes, këmbimit dhe analizës së informatës në fushën e hetimit dhe trafikimit me narkotikë. Projekti në fillim ka ndihmuar në adresimin e kornizës ligjore për menaxhim të integruar të kufirit dhe narkotikë, gjë që ishte edhe njëra nga kriteret që dalin nga udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, tha Hyseni.


Kreu i MPB-së shtoi se projekti ka hartuar një doracak me qëllim të parandalimit të drogës, i cili i është shpërndarë mësimdhënësve në shkolla vitin e kaluar.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruair O’Connell, theksoi se është thelbësore menaxhimi i mirë i kufirit për të parandaluar krimin e organizuar dhe kontrabandën, sepse Britania ka nevojë ta shoh Kosovën të pajisur me instruktore të pavarur, efektive dhe efikase.

“Menaxhimi i keq kufitar, lejon kontrabandën, trafikimin, lejon migracion të paligjshëm, lejon terrorizmin dhe krimin e organizuar”, tha O’Connell.

Diplomati anglez shtoi se menaxhimi efektiv kufitar po ashtu përmirëson qarkullimin e mallrave dhe në të njëjtën kohë zvogëlon rrezikun nga krimi dhe terrorizmi.

Udhëheqës i projektit të binjakëzimit të BE-së, Rrahman Sylejmani tha se objektivi i përgjithshëm i projektit ishte që të mbështeten autoritetet e Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, e në veçanti në implementimin e strategjisë së mikut, planit të saj veprimit dhe në luftën kundër trafikimit të drogave.

Ndër tjera i shef i Operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock, është shprehur se përmes këtij projekti, në të ardhmen do të përmirësohet lëvizja e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve përgjatë kufirit.

Përfaqësuesit pjesëmarrës në projektin binjakëzimi i BE-së, me temë Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe Lufta Kudër Trafikimit të Narkotikëve, që u mbajt sot në Drejtorinë e Policisë së Kosovës, prezantuan edhe pajisjet me të cilat do të jetë më e lehtë që të detektohet droga dhe gjitha llojet e saj. /kp/