Site icon Telegrafi

Mbledhja e qeverive në Prizren: qasje evropianiste apo nacionaliste?

Sigurisht që mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren më 11 janar 2014 është historike, për vetë faktin se është e para e këtij lloji. Vetë pjesëmarrësit ishin të vetëdijshëm për këtë dhe ishin përpjekur që ta mbështesnin me një simbolikë sa më të fuqishme kombëtare. Jo më kot pjesa ceremoniale e veprimtarisë u mbajt në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që u premtua se mbledhja e dytë do të mbahet në Vlorën e Pavarësisë.

Parë nga aspekti kombëtar, duket e drejtë ankesa se ky ishte një veprim i vonuar, sepse duhej të kishte ndodhur kohë më parë. Në krahun tjetër, që të mos kishte dyshime se po shkelej “vija e kuqe” e bashkimit kombëtar, kryeministri Rama u kujdes që ta theksonte më se një herë se vijën e kufirit e shihte qartë dhe se ajo është e patjetërsueshme. Siç duket edhe për të hequr ndonjë keqkuptim që mund të kishte krijuar thënia e tij disa muaj më parë, se do të përpiqej që kufirin midis dy shteteve ta bënte të padukshëm, ai theksoi se shqiptarët u kanë dhënë besën miqve të tyre ndërkombëtarë se nuk do t’u hapin kokëçarje vetes, rajonit dhe atyre, duke kërkuar heqjen formale të kufirit midis dy republikave.

Të dyja qeveritë u përpoqën që ta përmbanin pjesën substanciale të mbledhjes brenda cakut të një bashkëpunimi të ngushtë ndërqeveritar, pra jo ndryshe nga sa kanë bërë para tyre disa shtete fqinje. Sidomos Rama këmbënguli se strategjia e tij ndiqte frymëzimin evropian dhe jo nacionalist. Etiketimin si “retorikë nacionaliste” e përdorën edhe disa opinionistë për ta kritikuar mbledhjen si fasadë pa përmbajtje.

Ndërsa, akterët dhe komentuesit e ngjarjes kishin arsyet dhe interesat e veta për ta trajtuar mbledhjen sipas alternativave evropianiste apo nacionaliste, në të vërtetë ajo dhe mbledhjet e tjera të përbashkëta që do ta pasojnë ndjekin si logjikën nacionaliste, apo ashtu edhe atë evropianiste.

Zakonisht, duke ndjekur përkufizimin e dhënë nga Ernest Gellneri, nacionalizmi përshkruhet si ideologjia që kërkon përputhjen e kombit me shtetin, mirëpo ky përkufizim krijon dy iluzione: së pari, sikur kombi si vlerë është i barabartë me shtetin dhe, së dyti, sikur veç shtetit kombëtar, sovran e të pavarur nuk ka mënyra të tjera për të realizuar vetëvendosjen dhe vullnetin e kombit.

Përkundër iluzionit të parë, kombi është vlera më e lartë sipas kuptimit nacionalist, ndërsa shteti mjeti për të mundësuar ushtrimin e vullnetit kombëtar. Përkundër iluzionit të dytë, siç ka vënë në dukje sociologu Entoni Smith, edhe pse shteti kombëtar është parë si mjeti më i mirë dhe është dëshmuar se është mjeti më i mirë për ruajtjen dhe njësimin kulturor të kombit, në realitet kombet, sipas kushteve ku janë ndodhur, janë përshtatur edhe me rregullime të tjera institucionale, siç është federata. Për të dhënë dy shembuj: skocezët dhe katalanasit ndihen si kombe dhe janë kombe, por nuk e kanë shtetin e tyre kombëtar. Gjithashtu, në pamundësi për të pasur një shtet të vetëm, logjika nacionaliste mund të pranojë përkohësisht ekzistencën e dy shteteve të një kombi, duke mos përjashtuar për fare mundësinë që në rrethana të favorshme këta të shkrihen në një.

Gjithashtu, logjika nacionaliste lejon që kombi të marrë pjesë në institucione ndërkombëtare apo në forma të tjera organizimi që janë në dobi të tij. Jo më kot organizata më përfshirëse në botë është ajo e Kombeve të Bashkuara. Për të dhënë një shembull tjetër, a mund ta mendojmë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO shkon kundër interesave kombëtare të shqiptarëve? Prandaj, edhe pse shpesh thuhet se logjika me të cilën është krijuar Bashkimi Evropian shkon kundër asaj nacionaliste, fakti është se BE-ja është krijuar dhe funksionon përmes shteteve kombëtare dhe respektimit të parimit të barazisë së kombeve. Aq e vërtetë është kjo, saqë për t’u bërë pjesë e BE-së në disa raste është dashur shpërbërja e federatave shumëkombëshe që përjetoheshin si shtypëse dhe robëruese prej një kombi apo disa kombeve brenda tyre. Çekët dhe sllovakët fillimisht u ndanë paqësisht nga njëri-tjetri për të qenë së bashku më pas brenda BE-së.

Integrimi në BE nuk e përjashton bashkimin kombëtar: Republika Demokratike Gjermane u bë automatikisht pjesë e BE-së, duke u njësuar me Republikën Federale Gjermane dhe nuk kaloi nëpër procesin e integrimit si shtetet e tjera ish-komuniste. Kjo sepse logjika e bashkimit të një kombi mbizotëroi dhe realizoi integrimin evropian. Kufijtë e shteteve kombëtare pas integrimit evropian relativizohen dhe njëkohësisht bëhen më të fortë. Relativizohen për shkëmbimet e njerëzve dhe mallrave, por njëkohësisht forcohen, sepse gjejnë pranim më të madh ndërkombëtar ngaqë shtetet fqinje si kusht për integrimin heqin dorë nga pretendimet për ndryshimet territoriale që mund të kenë pasur më parë.

Logjika e integrimit sigurisht që ndryshon edhe identitetet kombëtare, duke i bërë më të hapura ndaj identiteteve të tjera kombëtare e etnike, por nuk i kapërcen ato në emër të një “kombi evropian”.

Për të ardhur në rastin shqiptar, logjika e bashkimit nuk mund t’i kundërvihet logjikës së integrimit për vetë faktin e thjeshtë, se shqiptarët jetojnë në disa shtete që synojnë integrimin në BE. Integrimi, së bashku me hapjen relative të kufijve në një masë të madhe, kompenson pafuqinë shqiptare për të realizuar tani bashkimin e tyre. Në një vrojtim më të thellë teorik, sikurse ka vërejtur një nga mendimtarët më të mprehtë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, Ukshin Hoti, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë jo duke iu kundërvënë dinamikave integruese evropiane, por si pasojë e tyre dhe duke iu bashkëngjitur atyre. Në një letër dërguar Kadaresë, Hoti shkruan: “Lufta e popullit shqiptar për të zgjidhur problemet e veta dhe çështjen e vet është pikërisht në funksion të zgjidhjes së proceseve të Evropës dhe të avancimit të proceseve të saj pozitive, përveç faktit se është edhe masë për matjen e ecurisë së tyre. Për këtë shkak dhe nga ky aspekt, shqiptarët vetëm sa po e kryejnë pjesën e vet të detyrës gjitheuropiane” (kursivi ynë).

Kapërcimi i ndarjes së krijuar nga Lufta e Ftohtë, zgjerimi i hegjemonisë demokratike perëndimore drejt pjesës lindore të kontinentit, është e vërtetë se ka sjellë një liri më të madhe për shqiptarët, të cilët tani jetojnë në shtete që bazohen në parimet demokratike. Parimi i vetëvendosjes së popujve është i lidhur ngushtë me frymën demokratike, që nga Rusoi e revolucioni amerikan, kështu që shfrytëzimi i lirive dhe i mjeteve demokratike, si edhe forcimi i tyre nuk ka përse të mos priret për nga fitimi i një lirie edhe më të madhe në planin shoqëror e kombëtar. Dy shtete shqiptare pranohen nga nacionalizmi shqiptar për sa kohë që i shërbejnë jetësimit të vullnetit politik të kombit, pra janë nën hegjemoninë kombëtare dhe jo në atë të tendencave centrifugale lokaliste. Për sa kohë që ata ekzistojnë, si shtete me shumicë dërrmuese shqiptare, mbledhjet e të dyja qeverive do të shihen si vendimmarrje e vullnetit të zgjedhësve, paçka se njëkohësisht mund ndjekin tendencën evropianiste të dialogut dhe bashkëpunimit me fqinjët.

Prandaj, mbledhja e parë ndërqeveritare është një veprim brenda logjikave plotësuese të integrimit dhe të bashkimit, pavarësisht se cilën logjikë pjesëmarrësit zgjedhin të reklamojnë në deklaratat publike. Edhe nëse Rama dhe Thaçi janë të bindur se i vetmi bashkim i shqiptarëve që mund të arrihet është ai që respekton kufirin midis dy shteteve, rrjedhoja e plotësimit të objektivave që ata po vendosin është afrimi më i madh i dy pjesëve të kombit. Nëse përparohet hap pas hapi në këtë rrugë dhe arrihen me sukses shumë bashkime brendashqiptare në fusha të ndryshme, nuk do të jetë çudi kur në të ardhmen jo shumë të largët, pavarësisht nëse Kosova dhe Shqipëria do të jenë brenda apo jashtë BE-së, një mbledhje tjetër e dy kryeministrave të vendosë pikërisht mbi heqjen zyrtare të kufirit midis dy shteteve dhe kjo gjë të mos ketë as ndikimin më të vogël në gjeopolitikën rajonale dhe evropiane, që me kohë do ta kenë pranuar natyrshmërinë e këtij procesi. Madje, nëse Shqipëria e arrin anëtarësinë e saj në BE përpara Kosovës, rruga gjermano-lindore e integrimit mund të jetë tërheqëse për Kosovën.

Me fjalë të tjera, integrim me anë të bashkimit. Dikujt mund t’i duken tepër optimiste këto parashikimeve, por ato janë brenda tendencave integruese që po mbizotërojnë sot në Evropë. Varet nga mendimi strategjik për interesat kombëtare, planifikimi dhe puna jonë nëse do të arrijmë të përfitojmë maksimalisht nga tendencat integruese në Evropë.

Shumica e skeptikëve për mbledhjen e Prizrenit janë në fakt përkrahës të mbledhjeve të tilla, sepse ata vërejnë se ekzistojnë hapësira për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë në të gjitha nivelet që nuk janë shfrytëzuar më parë për mungesë vullneti politik. Ata presin në fakt shumë punë nga të dyja qeveritë. Albin Kurti shkruan se “e vërteta e mbledhjes së parë do të jetë mbledhja e dytë, atëherë kur do të shohim se çka u bë e u realizua midis dy takimesh dhe a po zhvillohemi përmbajtesisht bashkë si komb apo vetëm sa po takohemi formalisht si politikanë”. Ai dhe të tjerët që mendojnë njëlloj kanë plotësisht të drejtë, sepse shpesh kanë qenë ata që kanë ofruar projekte të bashkëpunimit dhe janë përballur me indiferencë ose procese të ngadalta.

Në mënyrë që bashkëpunimi strategjik ndërqeveritar të mos kthehet në një shfaqje mediatike, ai duhet monitoruar nga kuvendet dhe për këtë është mirë të krijohet një grup i përbashkët parlamentar, ku patjetër do të kenë vend edhe opozitat politike të Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë mënyrë sigurohet transparenca, llogaridhënia, si edhe vazhdimësia në të njëjtën rrugë edhe kur të ndërrohen qeveritë ekzistuese. Grupi parlamentar mund të bëjë vend edhe për deputetët shqiptarë nga IRJM, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët do të japin mendimet e tyre se si të përshihen territoret përkatëse të trungut etnik në projektet e mëdha të zhvillimit brenda-shqiptar e rajonal. Në varësi të tematikave në mbledhjet e përbashkëta të qeverive mund të marrin pjesë edhe autoritetet e pushtetit vendor dhe të nxiten takime të tilla të përbashkëta pune në nivelin vendor midis Shqipërisë, Kosovës, IRJM, Malit të Zi e Luginës së Preshevës. Po ashtu, edhe opinioni publik do të jetë më i informuar dhe më i fokusuar në çështje konkrete.

Në frymën evropianiste të integrimeve, është plotësisht e realizueshme që investime apo projekte madhore kombëtare të vendosen nën një autoritet të vetëm ekzekutiv mbishtetëror, por llogaridhënës ndaj qeverive dhe parlamenteve. Kjo mund të ndodhë, p.sh., në fushën energjetike pas lidhjes së rrjeteve të prodhimit dhe të shpërndarjes së rrymës elektrike. Edhe përfaqësimi ndërkombëtar nuk ka përse të bëhet ndarazi, por bashkërisht. Pranë çdo ambasade apo konsullate të Shqipërisë të ketë një seksion të Kosovës dhe anasjellas. Përfaqësues të Kosovës të marrin pjesë në delegacionet e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare ku Kosova ende e ka të pamundur pjesëmarrjen për shkakun e bllokimit ruso-serb. Në fund të mos harrohet fakti se shqiptarët janë një komb diasporik dhe detyra e organizimit të lidhjeve atdhe-diasporë u takon bashkërisht të dy shteteve.

Për të mbajtur gjallë frymën dhe identitetin kombëtar shtetet shqiptare dhe akterët e tjerë politikë mund të mbështesin krijimin e qendrave të kulturës dhe të arsimit, të cilat nën shembullin e instituteve “Gëte” për kulturën gjermane, “Dante” për kulturën italiane, apo “Servantes” për kulturën spanjolle, mund të quhen qendrat “Naimi” të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Projekte të tilla kërkojnë me doemos bashkërendim qeveritar Tiranë-Prishtinë e madje edhe Shkup e më gjerë, sepse po u veprua ndarazi shfaqet rreziku që kufijtë ndërshqiptarë të eksportojmë edhe në zemër të diasporës shqiptare nëpër botë, që ka qenë deri tani një mbështetje e zjarrtë dhe e vendosur për bashkimin kombëtar.

 

Exit mobile version