Maqedoni, magazina të mbushur me vaj kanabisi, kompanitë nuk mund t'i shesin (Video)

Kompanitë që merren me kultivimin e kanabisit mjekësor për prodhim të vajit për qëllime mjekësore, tashmë dy vite nuk mund ta shesin as në tregun vendor, e as jashtë shtetit, thonë se Shoqata e sapoformuar “Mak-kanabis”. Disa nga prodhuesit thonë se magazinat janë të mbushura me lule dhe vaj mjekësor, sepse përveç licencave të Maqedonisë, nuk posedojnë certifikata evropiane për kultivim dhe prodhim të kanabisit mjekësor.
“Nëse dikush pyet për çka njihet Maqedonia….ligji maqedonas për prodhimin e kanabisit mjekësor është i mirë sepse nuk ka asnjë përkufizim. Ne jemi vendi i vetëm në botë ku nuk ka përkufizime në pjesën e prodhimit në aspektin e koeficientit të përbërësve të kanabisit, për dallim nga shumë vende të tjera evropiane ku kjo sasi kufizohet në 0,2%”, u shpreh Bozhidar Koshça, pronar i kompanisë “Oaza AllkalloidI”.
Nga Shoqata në fjalë, thonë se urgjentisht duhet të sillen ndryshime në ligjin ekzistues, në të cilin, siç theksojnë, dispozitat janë shumë të përgjithshme dhe joprecize, gjë që mund të shkaktojë keqpërdorime. Gjithashtu kërkojnë që të rishqyrtohet garancia bankare prej 100 milionë eurove dhe të përmirësohen kriteret për punësim të kuadrove, të cilat aktualisht janë deficitare.
“Ligji nuk përcakton se çka është rekreativ ndërsa çka është mjekësor. Duhet të fillojmë prej atje, së pari të dimë se çka është kanabis mjekësor e çka kanabis rekreativ. Të ketë mënyrë të kontrollit. Nëse e lexoni ligjin nuk dini se kush është i autorizuar të kontrollojë se sa kanabis është prodhuar, sa është lejuar, sa është mbjellë. Kush është ai që e di? Askush. Duhet të definohet mirë, që të mos ketë keqpërdorime, deklaroi Konstantin Dukovski nga Shoqata “Mak-Kanbis”.
Biznesi me kanabisin mjekësor në vend është paralajmëruar si biznes fitimprurës, por siç thonë vetë prodhuesit, investimi është 8 milionë euro apo më shumë. Shpenzimet gjithashtu janë shumë të larta, për shkak se vetëm një kontroll i prodhimtarisë nga inspektori evropian i kushton prej 20 deri në 30 mijë euro./Tv21/





















































