Site icon Telegrafi

Manushaqe Halili – Rrugëtimi drejt veprave të Hasan Tahsinit

Vepra e Hoxha Hasan Tahsinit, këtij dijetari e atdhetari të Rilindjes Kombëtare dhe njëkohësisht drejtues i shquar i Universitetit të Stambollit, është ende e mangët. Ndërkohë, bëmat e tij akademike dhe atdhetare janë të panumërta. Ka qenë trashëgimtarja e familjes Manushaqe Halili, ajo që ka mbledhur për 13 vite punimet akademike në Stamboll për të sjellë në një kolanë veprën e tij me tri vëllimet e para.

Intervistoi: Ajete Zogaj

Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera, për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini ka qenë mësues i Abdylit, Naimit,Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.

Ky enciklopedist, filozof dhe mendimtar i njohur në fusha të diturisë, në astronomi, në matematikë, në psikologji etj , u shkollua në Francë dhe futi shumë praktika të reja perëndimore në pedagogjinë osmane.

Krahas punës, si stërmbesa e rilindësit Hasan Tahsini, Manushaqe Halili, ka bërë dhjetëra udhëtime në Stamboll në kërkim të varrit, të shtëpisë ku jetoi dhe të librave që shkroi e botoi. Ajo ka mbledhur veprat origjinale në bibliotekat e Stambollit dhe duke takuar gjuhëtarë e studiues, vendos të botojë në shqip veprën madhore të këtij dijetari të madh.
Për më shumë, lexoni këtë intervistë të rrallë, në vijim.

A mund të na jepni një biografi të shkurtër – kush është Manushaqe Halili?
Nuk më pëlqen shumë të flas për biografinë time, por megjithatë po u jap një biografi të shkurtër. Kam lindur në Sarandë (aty kam kaluar vetëm shtatë vitet e fëmijërisë) e më pastaj familja ime u zhvendos në Tiranë, ku jetoj edhe tani.

Në Tiranë, kam përfunduar shkollën e mesme (Teknikun ekonomik) si dhe kam vazhduar edhe disa vite me korrespondencë në Institutin e Lartë të Ekonomisë, ndërsa, së fundmi kam përfunduar studimet në Akademinë e Arteve për Menaxhim Arti. Nuk kam bërë ndonjë aktivitet të madh. Kam punuar 32 vjet në Kinostudio “Shqipëria e Re”, fillimisht në përkthimin e filmave dhe titrimin e tyre, pastaj në montazh regjisore e montazhit dhe prej atje kam dal në pension.

Manushaqja në një nga studiot e montazhit të Kinostudios ”Shqipëria e re”

Opinioni i gjerë tanimë e njeh dhe e vlerëson kontributin tuaj për botimin në gjuhën shqipe të veprave të Hasan Tahsinit, a mund të na e tregoni me pak fjalë punën dhe angazhimin tuaj në këtë drejtim?
Viteve të fundit jam marrë me një aktivitet i cili më ka dhënë shumë kënaqësi por edhe lodhje dhe mërzitje.

I kam vënë vetës detyrë që të merrem me figurën e Hoxha Tahsinit me të cilin kam një lidhje fisnore, pasi që gjyshi ka qenë kushëri me të nga nëna. Me një fjalë që në fëmijëri kam dëgjuar emrin e tij dhe jam rritur me përfytyrimin e personalitetit të tij.

Edhe në parathënien që kam shkruar me rastin e botimit të një pjese të krijimtarisë së tij, kam potencuar se në shtëpinë tonë ka qenë e varur fotografia e Hoxha Tahsinit. Në vitin 1934 (vit në të cilin Mehdi Frashëri boton një shkrim në revistën “Minerva” dhe ndër të tjera shkrimin e shoqëron edhe me një fotografi të Hoxha Tahsinit ku ndër të tjera thotë: “Prejeni këtë faqe dhe inkuadrojeni në mur, që ta keni gjithnjë kujtimin e një Shqiptari të madh!”… Kështu vepruan edhe prindërit e mi, ata e prenë fotografinë dhe e vendosën në kornizë në mur, kështu që fotoja e Hoxha Tahsinit ishte dhe mbeti një foto e përjetshme në shtëpinë tonë e cila u ruajt me shumë xhelozi. Pra, po e përsëris edhe njëherë që, qysh si fëmijë, unë jam rritur me krenarinë dhe respektin për të. Kjo krenari e në të njëjtën kohë edhe kërshëria për të ditur e njohur më shumë këtë figurë të shquar më ka përcjell po thuajse çdo ditë e çdo moment të jetës sime. Edhe tani si pensioniste dhe me moshë të shtyrë, punoj pa ndalur që lexuesi shqiptar ta njoh punën e këtij kolosi të madh. Rrugëtimi im ka qenë shumë i vështirë, por megjithatë nuk jam ndalur.

Kam shkuar disa herë në Stamboll, pastaj në Tiranë kam shfletuar dhe kërkuar shumë. Megjithatë, burimi kryesor ishte Stambolli. Me ato mundësitë e mija që gjithmonë janë relative, (edhe mosha edhe ana financiare, ngase e gjithë kjo punë është bërë nga kursimet e mija financiare) në njërën anë, si dhe mosnjohja e osmanishtes, (pasi vepra e Hoxha Tahsinit ishte e shkruar në osmanishte). Mosnjohja e turqishtes ishte një pengesë më vete që përcjell vazhdimisht, edhe tani që jam në Kosovë në kërkim të një osmanologu i cili mund të më ndihmonte në deshifrimin e shumë materialeve të mbledhura nga puna hulumtuese e Hoxha Tahsinit. Kam shkuar në shumë biblioteka, institucione, si dhe në shumë arkiva, në mënyrë që të gjejë sa më shumë materiale të cilat i ka lënë Hoxha Tahsini. Më në fund deshi zoti, them deshi zoti sepse jam në një moshë jo të përshtatshme për këtë punë, që më në fund arrita të botoj tre volume të veprave të Hoxha Tahsinit.

A mund të na përshkruani momentin e daljes në dritë të veprës trivëllimshme të Hoxha Tahsinit në gjuhën shqipe, e që për lexuesit shqiptarë janë një pasuri e madhe?
Mund të them se ditën që mora librat e botuara të Hoxha Tahsinit, mu duk sikur pata një fëmijë tim dhe i shtrëngova fort në kraharor. Desha të më dilnin disa lot, por këta lot të ishin lot gëzimi, lot kënaqësie që më në fund arrita ta realizojë një dëshirë që e kisha prej kohe, për të cilën punova disa vite.

Zonja Manushaqe, unë po shoh se valixhja juaj është e mbushur edhe me shumë materiale të tjera të mbledhura nga Ju në arkiva e biblioteka. Ç’farë përmbajnë këto materiale?
Unë nuk do të ndalem vetëm me këto vepra të botuara. Kam disa materiale më të cilat mund të përgatis edhe disa libra të tjerë. Nuk e di sa do t’ia arrijë, edhe pse e kam vullnetin dhe dëshirën, (tani jam në moshë), por kam një shpresë shumë të madhe që këtë punë mund ta vazhdojnë ata që janë më të rinj dhe që kanë specializim, kulturë dhe dije dhe që do të dinë të hulumtojnë më shumë se sa unë. Për mua hulumtimi i këtyre materialeve ishte një punë diletante, ishte dashuria e futur brenda për të realizuar këtë mision më shumë ndoshta se sa ana profesionale, (të gjitha udhëtimet dhe hulumtimet janë bërë në mënyrë individuale dhe me mjete të mija financiare) .

Në Turqi asnjë mbishkrim me emrin e Hoxha Tahsinit!

Keni qenë disa herë në Stamboll, në kërkim të shtëpisë, të varrit dhe të dorëshkrimeve të njeriut që i bënë nderë kombit tonë si rektor i parë i Universitetit të Stambollit, si filozof e shkencëtarë i lëmive të ndryshme. Çfarë keni gjetur atje dhe sa e ka nderuar Turqia këtë personalitet i cili gjithë dijen e tij e ka shkrirë në atë vend?
Unë mund të them se Hoxha Tahsini ishte një ndër shkencëtarët më të shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kam lexuar se në këtë periudhë kanë qenë të përndjekur dy shkencëtarë Hoxha Tahsini dhe një mik i tiji.

Mirëpo, me keqardhje mund të them se edhe në Turqi edhe në Shqipëri figura e Hoxha Tahsinit nuk është vënë në vendin e duhur. Nga ato që kam lexuar dhe nga ato që kam kuptuar, mund të them me plotë gojën se Hoxha Tahsini mund të quhet Babai i Rilindjes. Jo që të tjerët kanë më pak vlerë, por se të gjithë rilindësit kanë qenë nxënës të Hoxha Tahsinit duke filluar që nga Naim Frashëri, dhe mësuesi di më shumë se sa nxënësi. Është tjetër se pastaj nxënësi mund të bëhet një figurë e shquar. Hoxha Tahsini ka kryer dy universitete një në Sorbonë (Paris) i pari për shkencat e natyrës dhe i dyti për shkencat ekzakte. Atje ai mori një kulturë të gjerë dhe shumë të përsosur. Hoxha Tahsini deshi që të sillte ndikimin e kulturës perëndimore në Perandorinë Osmane. Sigurisht që njerëzit e shkencës që kërkojnë përparimin për kohën që jetojnë siç thotë Sami Frashëri, Hoxha Tahsini ishte njeriu që rrallë sillnin shekujt, ose, Ai ishte nga njerëzit që kanë lindur para kohe, prandaj gjithmonë kanë ato përpjekjet, shqetësimet, kështu që Hoxha Tahsini i pati këto gjëra. Jeta e Hoxha Tahsinit ishte shumë e vështirë. Ai jetonte në një shtëpi me qera, ka pasur shumë përpjekje, shumë lodhje. Shtëpia e tij u shndërrua si në filial Universiteti për nxënësit shqiptarë. Ai deshi që ato njohuri dhe programe arsimore që zhvilloheshin në Universitetin e Stambollit t’ua përcillte nxënësve shqiptarë, si: Sami Frashërit, Abdul Hak Hamidi një poet i madh turk që në kohën e vet quhet Shekspiri i Turqisë.

Abdul Hak Hamidi i cili ishte nxënës i Hoxhë Tahsinit, i kushton një elegji të jashtëzakonshme në të cilën spikatë vlerat e jashtëzakonshme të mësuesit të tij.
Pra, Hoxha Tahsini shtëpinë e tij e shndërroi në një qendër shkencore në të cilën bënte hulumtime për astronominë dhe sidomos kozmografinë, por edhe qendër ku u dha mësim figurave të shquara të kombit tonë, aty mblidheshin patriotët shqiptarë. Jani Vreto në shënimet e tija në librin që ka botuar prof. Uçi në një shkrim në formë procesverbali thotë se, në shtëpinë e Hoxha Tahsinit janë bërë shumë mbledhje për alfabetin e gjuhës shqipe. Atje është formuar edhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip dhe tregonte për diskutimet që bëheshin për punën e alfabetit sepse Hoxha Tahsini ka krijuar vet një alfabet duke marrë për bazë alfabetin arab, alfabetin grek, bullgar dhe francez. Në fund ka nxjerr dhe mbase ka studiuar një formë për alfabetin shqip. Jani Vretua në kujtimet e tij tregon se shumë nga pjesëmarrësit shqiptarë ishin të mendimit që ta përdornin alfabetin arab, disa prej tyre ishin të mendimit ta përdorim alfabetin grek. Në gjithë këtë konfuzitet thotë Jani Vretua, u ngrit Hoxha Tahsini me personalitetin e tij dhe me mënyrën e të folurit me elegancë duke iu thënë të pranishmëve se s’do të përdornim as alfabetin grek as atë arab, por duhet të kemi alfabetin shqip, një alfabet të veçantë sepse edhe gjuha shqipe është e veçantë, dhe kombi ynë është i veçantë. Më pas u aprovua ai alfabet në vitin 1879. Hoxha Tahsinin e shikojmë si patriot, si shkencëtar, por edhe si mësues i Rilindësve.

Ajo që më ka bërë të ndihem keq, është fakti i mosvlerësimit si dhe sa duhet i Hoxha Tahsinit. Kur kam shkuar herën e parë në Stamboll dhe kam menduar se do ta shikoja diku emrin e tij, do të shikoj një bust, por nga këto nuk pash asgjë.

Në Stamboll gjeta shtëpinë ku kishte punuar Hoxha Tahsini dhe ajo që më pikëlloi pa masë ishte fakti se as dhe në shtëpinë ku ka jetuar Ai, nuk ekziston as dhe një pllakë apo mbishkrimi ku do të shkruhej të paktën se ‘këtu ka jetuar Hoxha Tahsini’. Pata shumë emocione, përfytyroja gjithçka: ku ka jetuar, ku ka shkruar, ku ka bërë vrojtime, ku e kishte bibliotekën, dhe u mundova të krijoja një mizanskenë të asaj kohe. Pastaj vajta tek një mikesha ime e cila m’i bëri disa foto që i kam të fiksuara ato momente, pastaj vajta në një çezmë e cila ishte nxirë nga koha pasi kanë kaluar gati mbi 150 vjet dhe atje piva ujë, ndjeva sikur ky uji ishte pjesë e ujit që kishte pirë Hoxha Tahsini! Ndjeva shumë emocione, putha derën, shkallët, nuk dija se çfarë të bëja.

Manushaqe Halili para shtëpisë së Hasan Tahsinit në Stamboll

Shkova edhe në ndërtesën ku ishte Universiteti, aty ku Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i këtij Universiteti, dhe as aty asnjë mbishkrim asgjë për të! Kjo më pikëlloi pa masë!… Universiteti kishte pësuar shumë transformime, tani ishte shndërruar në ministri të drejtësisë. Megjithatë, hyra brenda për të krijuar njëfarë ideje, më dukej sikur po shihja figurën e tij, hapat e tij… Sa herë që shkojë në Stamboll, pasi sistemohem, vizitën e parë shkoj e bëjë në shtëpinë e Hoxha Tahsinit dhe më duket se sikur shkoj për ta përshëndetur. Të njëjtën gjë e bëjë edhe kur kthehem nga Stambolli në Shqipëri. Për sa i përket varrit të Hoxha Tahsinit kam bërë shumë përpjekje për ta gjetur, por nuk ia kam arritur, ishte shumë e vështirë. Megjithatë, mendoj se do të ishte nderë që shteti shqiptar në të ardhmen të hulumtojë në gjetjen e varrit të tij. Kjo do t’i bënte nderë Shqipërisë për shqiptarin e devotshëm Hoxha Tahsini.

Dua të theksoj se para se t’ia filloja kësaj pune, mora informacion se çka është bërë, çfarë po bëhet dhe çfarë do të bëhet për hulumtimin e punës dhe figurës së Hoxha Tahsinit, dhe nuk pashë se nuk kishte ndonjë reagim, nuk kishte ndonjë angazhim. Atëherë ishte një ndjenjë e fuqishme nga brenda meje, dashuria e bashkuar me vullnetin si dhe dëshira brenda shpirtit tim që më bëri t’i hyjë këtij angazhimi. Jam munduar si ajo bleta që shkon për të mbledhur nektarin.

Ndofta ndonjë tjetër nuk do t’i përjetonte vështirësitë që më përcollën mua duke filluar nga mosha, mjetet financiare, mosnjohja e gjuhës osmane dhe turke, por tani jam shumë e lumtur që shoh një pjesë të veprës së tij të botuar në gjuhën shqipe. Megjithatë, unë mendoj se po të jetë dashuria brenda, po të jetë këmbëngulja brenda, po të jetë ajo që thuhet ‘po të dëshirosh mund të realizosh’ unë them se gjithçka mund të bëhet.

Mos i kopjoni gjërat e këqija nga Shqipëria!

A mund të na përshkruani me pak fjalë vizitën tuaj të parë në Kosovë, pasi që shumë herë e potenconi se në Kosovë e ndieni vetën si në shtëpinë tuaj. Konkretisht, a mund të tërhiqni një paralele nga vizita e parë dhe tani?
Është shumë e vërtetë kjo, unë kam dy argumente të vogla që më lidhin me Kosovën, tezja ime është e martuar me një kosovar nga Peja në kohën e Zogut, kështu që jam rritur me emrin Kosovë. Pastaj kujtoj vitin 1943 dhe vizitën e babait tim në Kosovë. Në atë kohë babai im ka vizituar Prizrenin, Pejën dhe prej andej ka sjellë një kade me previdenë (reçel) prej kumbulle shijen e së cilës ende e kam kujtesë. Pastaj kam lexuar librin “Nëna Shqipëri” të Vasfi Samimit një prozë poetike në të cilën ai shprehet: “Jam dashnori i Kosovës”, por unë s’po e them tamam – tamam siç e ka shkruar ai. Kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë, më besoni që mua më kanë rënë lotët. Kam dashur ta marr një plis dhe një grusht dheu të zi dhe ta vendosja në kraharor. Në këtë moment mu kanë kujtuar fjalët e babait nga vizita e tij në Kosovë: “Në Kosovë ka burra të gjatë dhe tokë të shëndetshme e të zezë”.

Në Kosovë kam shumë mikesha, madje në Mushtisht të Suharekës i kam vënë emrin një djali Çlirim, sepse gjyshen e fëmijës e kam takuar në Divjakë (Shqipëri) në kohën e luftës në Kosovë, deri sa nusja e djalit të saj ishte shtatzënë, dhe unë i propozova emrat: Çlirim nëse u lind djalë dhe Çlirime nëse u lind vajzë.

Unë kam shkruar te Çlirimi dhe tani më ai është i rritur. Edhe një moment tjetër mbresëlënës për mua nga vizita në Kosovë është vizita për pavarësinë e Kosovës. Ishte shumë ftohtë, (për këtë kam shkruar diçka në librin “Mbresa dhe emocione”). Kujtoj disa momente nga festimi ku më ranë disa fishekzjarrë dhe më dogjën atë peliçen time, dhe unë në atë shkrim them s’ka gjë që u dogj peliçja, rëndësi ka që ishte pavarësia e Kosovës. Më besoni se u kënaqa pa masë.

Në Kosovë kam ardhur disa herë. Në fillim më është dukur ndryshe, por pastaj më besoni se këtë po ua them me dhimbje, ju në Kosovë çdo ditë e më shumë sikur po i kopjoni disa gjëra të këqija nga Shqipëria, por edhe disa të këqija nga Evropa. Duhet ta dini se krahas shumë gjërave të mira, Evropa ka edhe shumë gjëra të këqija.

Është i dhimbshëm mosvlerësimi i njerëzve të zotë

Dihet historikisht se kombi ynë ka nxjerrë shumë figura të shquara të cilat i kanë bërë nderë jo vetëm kulturës shqiptare, por edhe asaj botërore. Dhe, fatkeqësisht këto figura anashkalohen nga të themi kushtimisht ‘dy shtetet shqiptare’. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri të dhimbshme?
Mendoj se fajin kryesor e kemi ne në Shqipëri, prandaj thash se gjërat e këqija të Kosovës po na i kopjoni ju këndej.

Mendoj se shteti në radhë të parë duhet të kujdeset për ta: për ato figura të djeshme dhe për figurat e sotme dhe figurat e nesërme që do të vijnë. Vërtet ka shumë të rinj nga Shqipëria edhe nga Kosova që kanë studiuar në vendet e huaja dhe që kanë treguar rezultate shkencore. Ata janë pasuri kombëtare që duhet vlerësuar e çmuar, t’u vilet dija e tyre qoftë në arsim, shëndetësi, pra në shumë fusha.

Është i dhimbshëm mosvlerësimi i njerëzve të zotë në vendin tonë, në Shqipërinë tonë, sepse tanimë jemi një. Ky është një defekt i madh. Veç asaj mendoj se edhe lidhjet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jenë më të mira. Mua më bëri përshtypje pagesa e doganës për librin, kjo nuk mu duk në rregull, sepse libri është dije, libri është lidhje mes kombit. Më e keqja mendoj se është ulja e nivelit të arsimit, d.m.th., cilësisë së arsimit. Arsimi është rrënja e kombit, dhe po i thave rrënjën, po e preve, dhe po që se nuk e ushqeve rrënjën, nuk do të dal fryti i mirë.

Keni botuar dhe promovuar tri libra të Hoxha Tahsinit në Tiranë, tani jeni në përpjekje të botimit edhe të librave të tjerë. A mund të na tregoni se edhe çka mund të presë lexuesi nga përkthimi i veprave të tij?
Po, janë botuar tre vepra. Në veprën e parë janë përfshirë: Psikologjia (Ajri dhe Uji dhe Qielli) kurse në librin e dytë dhe të tretë janë përfshirë revista shkencore që Hoxha Tahsini ka botuar në vitin 1879 – 1880, pastaj pas disa muajsh ai ndërroi jetë. Aty janë shtatë numra. Ndërsa kam edhe katër vepra të tjera të cilat jam duke u përpjekur t’i përgatis, pasi kam materialet e gatshme të cilat i kam fotokopjuar në disa biblioteka dhe arkiva të Stambollit. Po të më punoj shëndeti do të isha shumë e lumtur nëse arrijë t’i botojë edhe këto materiale.

Keni shumë miq nga Kosova në Tiranë?
Kam shumë, por do ta veçojë një mike shumë të dashur, Shpresa Berisha (vajza e atdhetarit të shquar Rifat Berisha). Shpresa, jo vetëm që është një shoqe e mirë, por është një femër me nivel mjaft të mirë arsimor, kulturor dhe edukativ. Atë e kam shoqe prej shumë vitesh.

Çka do t’i porosisni studiuesit shqiptarë?
Në radhë të parë mendojë se shteti duhet t’i ndihmojë studiuesit e rinj, sepse mospërkrahjen e shtetit e kam provuar vet në punën time për grumbullimin e veprave të Hoxha Tahsinit, më besoni që kam pasur shumë vështirësi. Fundja studiuesit e rinj në radhë të parë duhet të jetojnë, pastaj duhet të kenë kushte që të hulumtojnë e të studiojnë. Kjo kërkon mbështetje, se po që se nuk është mbështetja e shtetit, është shumë e vështirë që hulumtimi të bëhet në mënyrë private. Pastaj, ne kemi një rini shumë të mirë, e cila do ndihmuar dhe përkrahur.
I porosis të rinjtë që të mos lodhen, të mos demoralizohen, sepse puna e përkushtuar jep rezultate, dhe kur i sheh këto rezultate s’ka gjë më të kënaqshme, është një gëzim, një triumf.

A do të thotë kjo se dashuria ndaj punës dhe këmbëngulja në arritjen e qëllimit bënë që një vepër të realizohet me sukses?
Sigurisht, kush dëshiron, realizon. Por nga dëshira deri tek realizimi është rrugë shumë e vështirë, rrugë që kërkon mund, sakrifica dhe përkushtim. Lum ai që dinë të ecë në këtë rrugë, të arrijë tek rezultati, tek qëllimi, tek fitorja. /Telegrafi/

Exit mobile version