Ka aq vite në tregun muzikor, sa zor të mbahen mend, megjithëse pamja e saj e freskët dhe kuruar gjer në detaje shkon në kah të kundërt me kohën dhe me zakonet e saj të vjetra. Nuk është më ajo vajza e ekzagjeruar me veshje me xixa dhe taka super të larta. Imazhi i saj i ri shfaq një femër elegante dhe joshëse për t’u pasur zili.
Por ndryshimi i pamjes njëqind për qind, nuk ka ndikuar në këngët energjike me tituj bombastikë, siç ndodh shpesh.
E gjendur përballë kësaj pyetjeje, këngëtarja përgjigjet se nuk bën dot ndryshe, pasi ky është stili i saj. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sa u takon ritmeve që sjell. Gjithnjë e më shumë Bleona priret nga muzika që mbizotëron tregjet muzikore.
Një gjë të tillë e vërteton edhe me këngën më të freskët me titull “Magnetic”, ku për të disatën herë shohim një femër energjike, që tërheq vëmendjen mashkullore. Performancën më të fundit nuk ngurron ta lidhë edhe me personin e saj, duke e konsideruar veten si magnet për polet e kundërta, por kur bëhet fjalë për polet e njëjta, shtyn sa të ketë fuqi.
Dhe në këtë pikë të jeni të sigurt: ajo është si një uragan i vërtetë. Nuk ndodh e njëjta gjë kur bëhet pre e faqeve rozë, pasi këngëtarja një fakt të tillë e merr me sportivitet.
Gjithnjë jeni shquar për tituj bombastikë. Një metodë që vijoni ta zbatoni ende. Përmendim këtu këngën tuaj më të re me titull “Magnetic”. Është rastësi, apo këtë kërkon Bleona?
“Jo, kjo është ajo që kërkoj unë, tek e fundit ky është stili im, çka do të thotë që nuk mund të përfytyrohem ndryshe”.
Sa “magnetike” është Bleona?
“Varet. Kështu, në qoftë se bëhet fjalë për polet e kundërta, jam goxha magnetike, ndërsa me polet e njëjta pastaj shtyj me të njëjtën fuqi (në mos më tepër) që tërheq polet e kundërta. Domethënë jam një uragan i vërtetë”.
Duket se keni eksperimentuar paksa me muzikën në këngën që prezantuat te “Kënga magjike”, që ishte energjike, por në një rrymë tjetër. Çfarë përfaqëson ky ndryshim për ju?
“Muzika botërore po ndryshon, duke pasur parasysh që këngëtaret më të suksesshëm janë Justin Timberlake apo “Pussycat Dolls”. Atëherë… që të jesh në krye, duhet të ndryshosh dhe të ecësh njësoj me hapin e tyre. Shembulli më i mirë është Madonna, që ka 30 vjet në skenë, por që gjithnjë vjen me performanca të përshtatshme për kohën ku jetojmë”.
Kush janë autorët e këngës suaj?
“Muzika është nga Courtis Boone, ndërsa orkestrimi nga Enis Presheva, pa harruar autorët e tekstit, që janë Armand Trebicka dhe Big Basta”.
A do të ketë ndonjë klip të ri së shpejti?
“Jam duke punuar. por më mirë ta lëmë surprizë”.
Momentalisht, ku është përqendruar vëmendja e Bleonës?
“Hollivud dhe vetëm Hollivud. Në rastin më të keq synoj të paktën diçka ndërkombëtare”.
Si po ecën ëndrra amerikane e Bleonës?
“Vazhdoj të jetoj nëpër avionë dhe lodhem shumë, mirëpo pa lodhje nuk ka asgjë. Pastaj asgjë nuk është e pamundur. Nëse mendon kështu, atëherë ke vullnet të ecësh përpara… Të paktën kjo është motoja ime”.
Duke qenë një person publik, shpeshherë jeni në qendër të faqeve rozë në gazeta. A ka pasur së fundmi thashetheme që ju kanë nxehur dhe si arrini ta menaxhoni një situatë të tillë?
“Po, thashethemet nuk pushojnë kurrë. Personalisht përpiqem t’i marr me sportivitet, pasi në momentin që njerëzit merren me ty, do të thotë që ti je interesant si person dhe prandaj merren, duke lënë punët e veta. Në qoftë që fjalët pushojnë, do të thotë që “ke vdekur” së ekzistuari si personazh”.
Meqë ju jeni një personazh shumë interesant dhe zhvillimet tuaja na interesojnë të gjithëve, si po shkon jeta juaj private?
“Jeta ime private është njësoj siç ka qenë në këto katër vitet e fundit. Nuk mund të mohoj faktin se kam një luks në jetën time private, që femrat e tjera të martuara nuk e kanë. Nuk shpenzoj shumë kohë në shtëpi dhe jam e lirë të udhëtoj në gjithë botën, pa shkaktuar xhelozi. Besoj që ky është një luks që ma ka krijuar fillimisht puna që bëj, por mbi të gjitha merita e një njeriu të mrekullueshëm me emrin Gani Bardha”. /Korrieri/