Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Francë, ku ka zhvilluar disa takime me personalitete të institucioneve të drejtësisë të Francës.
Kryeprokurori Lumezi është pritur në takime të ndara nga Prokurori i Republikës së Parisit, Francois Molins dhe Prokurorja e përgjithshme e Prokurorisë së Apelit në Paris, Catherine Champrenault.
“Lumezi dhe Prokurori i Republikës të Parisit, Molins, gjatë takimit kanë diskutuar për strukturën organizative, kompetencat, rolin dhe funksionimin e kësaj prokurorie, në veçanti për rastet e terrorizmit. Lumezi dhe Molins kanë diskutuar për rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mes të shtetit të Kosovës dhe asaj të Francës për të parandaluar dhe luftuar terrorizmin. Prokurori Molins, shprehu gatishmërinë që t’i jap mbështetje të plotë kryeprokurorit Lumezi, në ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin, që kanë të bëjnë edhe me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Kryeprokurori Lumezi me prokuroren e përgjithshme të Prokurorisë së Apelit të Parisit, Catherine Champrenault, kanë ndarë përvojat e dy institucioneve, si dhe janë pajtuar që në të ardhmen të rrisin bashkëpunimin edhe më tutje në mes shtetit të Kosovës dhe asaj të Francë.