Site icon Telegrafi

Lumezi: Akuzat ndaj meje të fabrikuara, nuk lejoj të denigrohet institucioni i Prokurorit  

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se institucioni i që ai udhëheq është goditur nga një i dënuar për korrupsion.

Lumezi këtë deklarim e ka bërë duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka deklaruar se Lumezi e ka falsifikuar provimin e Jurisprudencës.

Lumezi më tej ka shtuar se Hasani bashkë me të disa persona të tjerë dëshirojnë ta shohin të dështuar sistemin Prokurorial në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Dëshiroj të ju them se organi i akuzës dhe Kryeprokurori i Shtetit para disa ditëve janë goditur nga një i dënuar për korrupsion, e që janë duke e mbështetur edhe disa grupe të interesit të cilët shpesh herë flasin në emër të drejtësisë e në të vërtetë dëshirojnë ta shohin të dështuar sistemin prokurorial të Kosovës, duke imagjinuar dhe shpifur situata të pavërteta”.

Akuzat ndaj tij ai i ka quajtur të fabrikuara, derisa ka thënë se do të vazhdojë punë e tij, duke mos lejuar që institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit të denigrohet.

“Ju siguroj që unë kurrë nuk do të lejoj të denigrohet institucioni i Prokurorit të Shtetit e as puna ime me akuza të sajuara, e as kurrë nuk do të zmbrapsem e frikësohem nga kërcënimet e shkatërrimit tim”.

“Unë besoj në fuqinë e drejtësisë dhe me këtë besim deri në fund do ta ushtroj detyrën time ashtu si e lejon Kushtetuta dhe ligji i vendit tonë dhe gjithnjë do të kërkoj që problemet juridike të zgjidhen nëpërmjet rrugëve juridike, e jo nëpërmjet hulumtimeve me qëllime të ulëta nga personi i dënuar për korrupsion”. /ekonomiaonline/

 

Exit mobile version