LAJMI I FUNDIT:

Luksemburg 24 milionë euro ndihmë zhvillimore për Kosovën

Luksemburg 24 milionë euro ndihmë zhvillimore për Kosovën

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Luksemburg, Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku takoj Ministren për Bashkëpunim Zhvillimor të Qeverisë së Luksemburgut, Marie-Josee Jacobs.

Gjatë takimit ministrat diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe diskutuan në mënyrë konstruktive dhe të hapur mbi bashkëpunimin zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.

Pas takimit, Ministrja Çitaku dhe Ministrja Jacobs nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Memorandumin e Mirëkuptimit me ç’rast Qeveria e Luksemburgut ka zotuar 24 milionë euro asistencë zhvillimore për Kosovën për katër vitet e ardhshme. Prioritetet e identifikuara për asistencën zhvillimore janë: shëndetësia, arsimi profesional dhe uji.

Me këtë rast ministrja Vlora Çitaku, tha se “Luksemburgu ka qenë gjithnjë një nga partnerët më të afërt të Kosovës. “Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes për Bashkëpunim Zhvillimor është përkrahje e qartë politike dhe financiare për reformat ekonomike dhe sociale të Kosovës. Po ashtu, kjo është marrëveshja e parë zhvillimore që kemi negociuar me partnerë tanë zhvillimor”, tha ajo.

Çitaku po ashtu tha se kjo marrëveshje do të shërben si model për donatorë të tjerë dhe agjencitë zhvillimore. “Asistenca financiare do të përdoret për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës në shëndetësi, arsim profesional dhe ujëra. Shprehi falënderimin e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Luksemburgut për agjendën zhvillimore të Kosovës”, tha ministrja Çitaku.

Ndërsa, Ministrja Jacobs, tha: “Kam pasur nderin të pranoj sot Ministren Çitaku, disa ditë pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, i përgëzoj institucionet e Kosovës për rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negocimit të MSA-së me Kosovën. Qeveria e Luksemburgut ka mbështetur gjithnjë perspektivën Evropiane të Kosovës dhe në këtë drejtim mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave për MSA. Sa i përket marrëveshjes bilaterale zhvillimore, ne jemi shumë të kënaqur që sektorët e përzgjedhur reflektojnë prioritetet dhe planet e Qeverisë së Kosovës”.

“Dëshira jonë për të avancuar marrëveshjen bilaterale reflekton njohjen e pjekurisë së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partneritetit të Kosovës dhe Luksemburgut. Kjo marrëveshje është arritur në kohën kur Luksemburgu është duke ngritur Zyrën tonë në Prishtinë në nivelin e Ambasadës”, tha Jacobs. /Telegrafi/