Pas “përplasjes” mes shqiptarëve e danezëve, në radhë janë dy lufta tjera të mëdha: Shqipëri – Portugali, e pastaj Portugali - Danimarkë. Një gabim i vogël mund të kushtojë aq shtrenjtë, saqë edhe Serbia e Armenia, që e kanë veç nga një pikë, janë bërë “dikushi” në këtë grup

Ëndrra e kahershme e shqiptarëve për pjesëmarrje në një Kampionat Evropian është shumë afër realizimit, madje si asnjëherë më parë. Barazimi të cilin kuqezinjtë e arritën të premten mbrëma si mysafirë të Danimarkës ka bërë që shpresat për kualifikim në “Euro 2016” të rriten akoma më shumë, shkruan sot gazeta Zëri.


Ekipi shqiptar aktualisht është i treti në Grupin I eliminator, me 11 pikë të tubuara, sa ka edhe Danimarka, që është e dyta. Portugalia është lidere me 12 pikë. Lufta ndërmjet këtyre tri skuadrave mbetet e hapur për dy pozitat e para, që çojnë direkt në “Franca 2016”. Duhet theksuar se danezët e kanë zhvilluar një ndeshje më shumë sesa Shqipëria. Kurse, Serbia dhe Armenia janë në dy vendet e fundit të Grupit I, me nga një pikë. Me këtë nënkuptohet se Shqipëria tashmë e ka të sigurt vendin e tretë, e cila po ashtu ia jep edhe një shans tjetër për ta kërkuar kualifikimin duke luajtur në “Play-Off” ndaj ekipit të tretë të një grupi tjetër, por mund të ecën tutje pa e zhvilluar një ndeshje shtesë, nëse i përfundon me bilanc më të mirë ndeshjet kualifikuese në krahasim me ekipet tjera që përfundojnë po në pozitat e treta të grupeve përkatëse.

Zëri shkruan se vendi i tretë faktikisht nënkupton sukses për Shqipërinë, e cila asnjëherë më parë nuk e ka arritur një kësi pozicioni në kualifikime. Por, përparimi i madh i viteve të fundit që e ka shënuar skuadra e Gianni De Biasit ka bërë që apetitet e shqiptarëve të jenë edhe më të mëdha. Mbase edhe të arsyeshme. Përfaqësuesja e gjithë shqiptarëve po kërkon kualifikim direkt përmes vendit të parë, eventualisht pozitës së dytë. Pa dyshim, kjo Shqipëri e meriton pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, për herë të parë në histori.

Secilën herë më nxehtë

T’i kalosh pesë ndeshje eliminatore pa pësuar humbje nuk është aspak e lehtë. Por, një gjë të tillë e ka bërë tashmë Shqipëria, e cila deri më tani i ka shënuar tri fitore, ndaj Portugalisë, Armenisë e Serbisë, kurse i ka regjistruar dy barazime përballë Danimarkës.

Deri në fund të këtyre eliminatoreve çdo pikë mund të jetë vendimtare, duke e pasur parasysh luftën e rreptë që po e bëjnë në mes vete portugezët, danezët dhe shqiptarët.

Në dy xhirot e ardhshme do të zhvillohen dy ndeshje tepër të rëndësishme. Të hënën Shqipëria do ta pesë Portugalinë. Pastaj, kjo e fundit do ta takojë Danimarkën. Për shumë analistë këto dy ndeshje do të jenë vendimtare. Mirëpo, nuk duhet harruar as derbin e ardhshëm të zjarrtë ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, në të cilin shqiptarët duhet të tregojnë maturi të jashtëzakonshme, si në fushën e blertë, ashtu edhe në tribuna. E vërteta është se Serbia është turpëruar në këto kualifikime. Kjo skuadër është nën presionin e madh të tifozëve dhe mediave në Beograd. Këta të fundit do të mundë t’i qetësonte veç me një fitore në Shqipëri, gjë që do të mundohet ta bëjë me çdo kusht, madje ndoshta nuk do të lë metodë pa e provuar.

Shqipëri – Portugali, sfidë jetike

Situata në Grupin I është e komplikuar dhe çdo pikë në ndeshjet e mbetura mund të jetë vendimtare. Të hënën në Elbasan do të zhvillohet një luftë shumë e madhe në mes dy rivalëve tashmë thuajse të drejtpërdrejtë, Shqipërisë dhe Portugalisë, e cila e ka veç një pikë më shumë sesa kuqezinjtë e danezët. Të dyja palët i frikësohen njëra-tjetrës. Por, nuk e fshehin synimin për ta fituar sfidën. “Portugalia është përmirësuar dukshëm me trajnerin e ri, Fernando Santos, i cili ka lojtarë cilësorë dhe me shumë eksperiencë. Është një pengesë shumë e vështirë”, ka deklaruar trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi.

Edhe Lorik Cana thotë se Shqipëria nuk do të ndalet në rrugën që i ka hyrë. “Realisht kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe cilësore dhe kemi arritur këto rezultate pozitive, të cilat e lënë Shqipërinë të shpresojë që të jetë në ‘Euro 2016’. Ne nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë t’i marrim ndeshjet një e nga një. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Portugalisë në Elbasan”, ka theksuar kapiteni shqiptar.

Por, edhe Cristiano Ronaldo me shokë po i frikësohen Shqipërisë. Ata të premten e humbën testin miqësor me Francën (1:0). Por besojnë se në Elbasan do ta arrijnë fitoren e vlefshme. “Duhet të vazhdojmë të fokusuar për takimin e radhës, që është një ndeshje e rëndësishme. Jemi të motivuar para kësaj përballje”, ka deklaruar Luis Nani.

Njëjtë është shprehur edhe Danilo. “Shqipëria barazoi me Danimarkën. Ekipi ynë ka 12 pikë, ndërsa skuadra shqiptare 11. Fati ynë është në duart tona. Por nuk mund të nënvlerësojmë një kundërshtar si Shqipëria, që ka vlera”, ka theksuar futbollisti i Portugalisë, e cila ndeshjen e parë eliminatore e kishte humbur pikërisht nga ekipi kuqezi.

Ia presin gabimin njëra-tjetrës

Derisa Shqipëria të hënën luan ndaj Portugalisë, Danimarka lutet që ta fitojë Armeninë, për t’i rritur shpresat për kualifikim. “Portugalia luan të hënën një ndeshje direkte me Shqipërinë dhe ne duhet të përfitojmë, duke e mposhtur Armeninë. Gjithçka është e hapur, por na duhet t’i fitojmë të dy takimet që na kanë mbetur”, ka deklaruar përzgjedhësi i danezëve, Morten Olsen.

Në anën tjetër, derisa mendon për kundërshtaren e radhës, Portugalinë, Gianni De Biasi shpreson që Armenia ta befasojë Danimarkën dhe gjithë Evropën. “Shpresojmë të bëjmë detyrën dhe gjithashtu që Danimarka të gabojë në Armeni”, tha përzgjedhësi i shqiptarëve.

Olsen del nga kontrolli, mbron Serbinë!

I dëshpëruar me faktin që Danimarka nuk arriti ta mposhtë Shqipërinë, trajneri i danezëve, Morten Olsen, nuk është treguar fort i matur në deklarata. Ai e ka kontestuar fitoren e Shqipërisë në tavolinë ndaj Serbisë, por ka shkuar edhe më larg se kaq. E ka penguar prezenca në Kopenhagë e tifozit të famshëm shqiptar, Ismail Morina – Ballisti.

“Nuk kuptoj se si është e mundur që personi që e ka lëshuar dronin në Beograd, vjen në Danimarkë dhe bën foto me lojtarët shqiptarë në hotel, në një kohë që UEFA hesht. Kjo nuk është një lojë e ndershme. Ende nuk e kuptoj se si Shqipëria mori tri pikët në tavolinë ndaj Serbisë”, ka theksuar Olsen.  /Zëri/Telegrafi/