Lufta kundër korrupsionit e ngadaltë

Për shkak të funksionimit të dobët të institucioneve të ngarkuara për ligjin e rendin dhe ndikimit të politikanëve mbi to, vendi ka ngecur në ekzekutimin e ligjeve , veçanërisht ato që synojnë të luftojnë korrupsionin, thuhet në raport.
Merita Mustafa, administratore programi në Institutin Demokratik të Kosovës/Transparency International, i ka thënë SETimes se qeveria duhet të rrisë vullnetin politik për të trajtuar korrupsionin dhe për të forcuar institucionet që merren me shtetin e së drejtës.
"Pavarësisht nga premtimet dhe zotimet në vazhdim nga qeveria për të luftuar korrupsionin, synimet mbeten vetëm deklarata", tha ajo.
Një nga problemet kryesore që pengon përparimi, tha ajo, është se autoriteti mbi korrupsionin është shpërndarë në kaq shumë institucione ekzekutive.
"Kurdoherë që një rast [korrupsioni] përfshin një politikan të nivelit të lartë, ai i transferohet EULEX-it," tha Mustafa.
Por, EULEX vlerëson se përpjekjet në Kosovë po japin rezultate: 33 vendime që përfshijnë 55 vetë, nga të cilët 37 u shpallën fajtorë, u përfunduan nën autoritetin e EULEX-it.
"Qindra hetime në vazhdim, mbi 300 vendime në raste penale e civil, 23,000 pretendime të zgjidhura lidhur me konfliktet e pronës dhe mbi 300 eshtra njerëzore të personave të humbur të kthyera në familjet e tyre, vërtetojnë efektshmërinë e Misionit", ka thënë për SETimes Bardha Azari, zyrtare për informim në EULEX-it.
"Shifra tregon se në më pak se katër vjet, me rreth 24 gjyqtarë e më pak se 20 prokurorë, EULEX përfundoi rreth 180 raste, që nuk është numër i vogël", tha Azari.
Ajo përmendi dënimin e Kryebashkiakut të Kaçanikut Xhabir Zharku dhe të ish-kryetarit të asamblesë së Kosovës Nexhat Daci si rastet më të efektshme të EULEX-it.
Misioni ka dërguar në gjyq 20 persona të lidhur me qeverinë nga të cilët 13 janë shpallur fajtorë.
Azari vuri në dukje se EULEX vazhdon të sfidojë kulturën e pandëshkueshmërisë të Kosovës duke hetuar dhe ndjekur penalisht ministra, politikanë dhe zyrtarë të lart, ish-komandantë të kohës së luftës, tregtarë të shquar dhe anëtarë të shërbimeve të fshehta.
Në Nëntor qeveria miratoi një strategji të re kundër korrupsionit për 2013-2017 për uljen progresive e të qëndrueshme të korrupsionit. Megjithatë, një mendim i përgjithshëm sundon në Kosovë se vendi ka një bazë ligjore të përshtatshme dhe mekanizma për të luftuar korrupsionin, por mungon veprimi.
Por prokurorët vendorë thanë se po hetojnë një sferë të gjerë zyrtarësh.
Aleksandër Lumezi, shefi i prokurorisë të qarkut të Prishtinës ka thënë se janë nën hetim rreth 40 ish-zyrtarë e zyrtarë të tanishëm.
"Çdo zyrtar, pavarësisht se është një ministër, anëtar i parlamentit, zyrtar vendor ose tjetër, i dyshuar për veprimtari penale, do të paditet e do të dënohet", i ka thënë Lumezi gazetës Kosova Sot. /Telegrafi/




















































