Site icon Telegrafi

Lirohen të pafajshmit e ”Grupit të Kumanovës” (Video)

Po përqafojnë fëmijët e tyre. Këtë moment e kanë pritur dy vjet e gjysmë që të shijojnë lirinë, tre të burgosurit nga rasti i “Lagjes së Trimave”. Besnik Ajdini, Fazli Osmani dhe Besnik Bajrami në orën 17:00 të së martës u liruan nga qendra e paraburgimit të Shkupit. Kjo ndodhi në ditën e 6-të pas vendimit të Gjykatës Penale, të lihen të lirë tre të burgosurit dhe Ibrahim Murtezani, i cili deri të enjten e 2 nëntorit ishte në arrest shtëpiak. Porsa të liruarit, përveç gëzimit, shprehin edhe keqardhje për fatin e të dënuarve të tjerë nga grupi i Kumanovës, të cilët mbeten prapa grilave, njofton TV21.

Në pritje të lirimit të tyre, familjarët qëndruan për më shumë se 4 orë para qendrës së paraburgimit të Shkupit. Përqafime e lot gëzimi ishin momentet që mbizotëruan situatën e lirimit të tre të shpallurve si të pafajshëm. Më 2 nëntor Besnik Ajdini u lirua si i pafajshëm në mungesë të provave për dy akuzat që rëndonin ndaj tij dhe tre të tjerëve, siç janë: Ibrahim Murtezani, Besnik Bajrami dhe Fazli Osmani. Ky i fundit ndonëse u lirua, babai i tij Sulejmani është dënuar me burg të përjetshëm.

Gjykata penale, shqiptoi dënimin e përjetshëm edhe për 7 personat tjerë, kurse 13 prej “Grupit të Kumanovës” janë dënuar me nga 40 vjet heqje lirie. 6 persona morën dënimin me 20 vjet, kurse të tjerët u dënuan me burg nga 12 deri në 18 vjet burg.

Exit mobile version