Liderët fshihen nën logon e partisë

Ai ka thënë se vendimi i këtij komisioni, që vota e partisë t’i shkojë bartësit të listës zgjedhore, konkretisht liderit, është kundërkushtetuese. Sipas tij, me një veprim të tillë liderët janë duke u fshehur nën logon e partive.
Kryeziu ka paralajmëruar se shoqëria civile, nëse nuk korrigjohet ky gabim, do t’i përdorë të gjitha rrugët juridike për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Momentumi politik që ka krijuar klasa politike nuk ka lejuar të ketë një reformë zgjedhore, e cila do të punohej në substancë e si pasojë kemi një pastrim të ligjit zgjedhor edhe nëpërmjet të cilit nuk ka ndonjë avancim në procesin e votimit, por ka qartësi të ligjit dhe mënjanim të dualizmit të neneve”, ka deklaruar Kryeziu për “Epokën e re”.
Në këtë kontekst, Kryeziu ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që gjatë dy leximeve t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme të këtij draftligji. “Ligji ka nevojë për plotësime të tjera, të cilat garantojnë frymën e përfaqësimit të barabartë, thjeshtimin dhe garantimin e transparencës gjatë procesit zgjedhor. Mendoj se Parlamenti gjatë leximeve duhet ta ndryshojë dhe plotësi këtë draft ligj”, ka thënë Kryeziu.
Ai e ka vlerësuar jo të drejtë, sidomos vendimin e Komisionit për Legjislacion, që vota e partisë t’i shkojë bartësit të listës zgjedhore, konkretisht liderit të partisë. Sipas Kryeziut, me një veprim të tillë liderët janë duke u fshehur nën logon e partive.
“Nevoja për ndryshimin e ligjit zgjedhor është parë si domosdoshmëri dhe përdorimi i ligjit si instrument për mënjanimin e parregullsive në procesin zgjedhor, që të zgjedhurit të kanë legjitimitet juridik dhe politik e mos të jenë të zgjedhur me vota të kontrabanduara. Zgjedhja e liderëve të fshehur nën logon e partisë është shkelje e legjitimitetit juridik dhe politik, shkelje kushtetuese, shkelje mbi parimet substanciale që të garantojmë një proces zgjedhor dhe të zgjedhur legjitim”, ka thënë ai.
Kryeziu ka paralajmëruar se shoqëria civile do t’i përdorë të gjitha rrugët juridike për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. “Ne si shoqëri civile do t’i përdorim rrugët juridike për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese nëse vjen deri te një ndryshim i tillë i ligjit”, është shprehur Kryeziu. /Telegrafi/



































