Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA: Shkurtimi i IPA fondeve është mesazh ogurzi për Maqedoninë

Përmes një reagimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja BESA konsideron se shkurtimi i fondeve IPA edhe për 69 milion euro tjera, është një mesazh ogurzi për Maqedoninë.

Në reagimin e kësaj lëvizje, mes tjerash thuhet:

„Përgatitja joprofesionale, përfitimet personale të qeveritarëve, mungesa e cilësisë së realizmit të punimeve që duhet t’u përmbahen standardeve te Brukselit, si dhe menaxhimi financiar jopërkatës dhe llogaridhënia të dobët, e ka detyruar Bashkimin Evropian t’i shkurtojë këto fonde për vitin 2016, madje, të vihet në pikëpyetje edhe vazhdimi dhe realizimi i këtyre fondeve.

Kështu edhe më tej vështirësohet gjendja, ndërsa prognozat në të ardhmen e afërt e potencojnë edhe mundësinë e shkurtimeve të tjera nga gjithsej 664.2 milionë euro të ndara për Maqedoninë me Fondet IPA II për periudhën 2014-2020.

Duke gjykuar se qeverisja OBRM-PDUKM – BDI po e përmbys ardhmërinë e qytetarëve dhe po e rrënon perspektivën evropiane të saj, Lëvizja BESA ngre alarmin se gjendja është jashtëzakonisht serioze dhe se ky pushtet patjetër duhet të përfundojë.“/Telegrafi/

Exit mobile version