Në vazhdën e aksionit të lëvizjes BESA për të ‘shpëtuar votuesin shqiptarë’ përfshihet edhe letra e kryetarit të kësaj lëvizje, Bilall Kasami, drejtuar katër liderëve të partive parlamentare në Maqedoni: Menduh Thaçit të PDSH-së, Ali Ahmetit të BDI-së, Nikolla Gruevski nga OBRM-PDUKM-së dhe Zoran Zaev të LSDM, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në këtë letër mes tjerash thuhet se ”shqetësuese për BESËN është se, ndonëse liderët e partive shqiptare pohonin se kriza politike në Maqedoni është krizë ndërmjet dy partive maqedonase dhe se shqiptarët nuk kanë të bëjnë me të, në fund doli se ata që e paskan dëmtuar vullnetin demokratik të Maqedonisë paskan qenë votuesit shqiptarë, ngase rreth 40 mijë sosh po pastrohen nga lista.”
“Ju e keni për detyrim juridik, politik, moral, por edhe njerëzor që ta shpjegoni si u bë kjo që shqiptarët po fshihen nga lista zgjedhore dhe ju nuk reagoni fare për këtë! Këtu dua t’ju rikujtoj se kjo mënyrë e sjelljes suaj ndaj votuesve shqiptarë, që me një kalem fshihen sikur të mos jenë fare, le që nuk ju bën dobi juve si parti dhe spektrit politik shqiptar në Maqedoni, por kjo merr përmasa shqetësuese që historia jonë kombëtare në këtë vend do ta shënojë mbase si veprën që më së shumti e ka tradhtuar besimin e shqiptarit të këtyre trojeve. Sidoqoftë, meqë ne nuk kishim mundësi të jemi pjesë e bisedimeve, kërkoj nga ju ta riktheni procesin dhe të angazhoheni personalisht që të gjithë këta votues të kthehen në listën e përgjithshme të votuesve dhe kështu të ndërpritet ky cirk me listat zgjedhore në Maqedoni. Ndryshe historia e shqiptarëve të Maqedonisë mund t’ju regjistrojë për një vepër, me të cilën nesër mund të turpërohen edhe pasardhësit tuaj”, – thuhet mes tjerash në letrën e dërguar nga ana e kryetarit Kasami, kundrejt liderëve të partive shqiptare që ishin të përfshira në “Marrëveshjen e Përzhinos”./Telegrafi/