29 vjeçari ka pësuar një dëmtim në kaviljen e këmbës së majtë vetëm katër ditë para sfidës me norvegjezët, takim ky që luhet të premten në kuadër të eliminatorëve për Botërorin 2014.

Sipas mediave shqiptare, ky lëndim ka vë në dyshim praninë e tij në fushë në formacionin titullar. Kur duheshin jo më shumë se 10 minuta nga përfundimi i seancës stërvitore, mesfushori i Lazios u rrëzua papritur në tokë, edhe pse nuk pati asnjë kontakt të ashpër fizik me shokët e skuadrës.


Menjëherë drejt tij vrapuan pjesëtarët e stafit teknik dhe mjekësor, si dhe futbollistët e tjerë të kombëtares, që në momentin e parë ndjenë frikën e një dëmtimi shumë serioz.

Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, Cana doli me këmbët e veta nga fusha, por duke çaluar. Pas stërvitjes trajneri i kuqezinjve, Ganni De Biasi, pavarësisht shqetësimit për dëmtimin 29-vjeçarit u shpreh se “Cana është shkëmb i fortë, andaj do të arrijë të riaftësohet në kohë për Norvegjinë”. /Telegrafi/