Ka përfunduar procesi i largimit të mbetjeve të spitalit modular në Tetovë, i cili u dogj më 8 shtator të vitit 2021.
Procesi i pastrimit filloi dhjetorin e vitit të kaluar (2022), ndërsa ka përfunduar këto ditë.
Në vendin ku ka qenë spitali modular, autoritetet kanë paralajmëruar se do të vendosin pllakë përkujtimore për 14 viktimat që e humbën jetën nga zjarri tragjik, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Kujtojmë që zjarri i tmerrshëm që shpërtheu në spitalin modular, mori jetën e 14 personave të cilët trajtoheshin për COVID-19, ndërsa në mesin e viktimave ka pasur edhe familjarë të të infektuarve.
Për këtë rast ka filluar edhe procesi gjyqësor, ndërsa akuzohen ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.
Për këtë ngjarje tragjike janë kryer katër ekspertiza, sipas të cilave shkaktari i zjarrit ka qenë tejnxehja e kabllos vazhduese në të cilën kanë qenë të kyçur aparatet për të infektuarit me COVID-19./Telegrafi/