Plotë 28 vite, Santae Tribble kishte qëndruar i mbyllur në burg për një vrasje që nuk e ka kryer. Gabimi që i kushtoi me tri dekada prapa grilave, do t’i kushtojë shtetit të Uashingtonit, 13 milionë dollarë.
Por kjo nuk është e tëra. Për këtë gabim që e ka bërë FBI, kjo byro do të detyrohet të shqyrtojë gjitha rastet e ngjashme nga tri dekadat e fundit, transmeton Telegrafi.
Santae ishte dënuar për vrasjen e një shoferi taksie, në pjesën juglindore të Uashingtonit në janar të vitit 1980. Gjatë gjykimit, ekspertët mjeko-ligjorë nga FBI kanë konstatuar që qimet që janë gjetur në vendin e krimit i përkasin Tribble-it. Prokurori asokohe pati deklaruar se shansi “1 në 10 milionë” është që qimet janë të tij.
Megjithatë, analizat e ADN-së të bëra në vitin 2012, treguan se dikush tjetër i kishte vënë në skenën e krimit. Analiza e kryer për së dyti, tregoi se 13 qimet e gjetura, jo vetëm që nuk i përkasin atij, por bëhet fjalë për dy materiale të personave të ndryshëm në ADN, ku njëra nuk i përket njeriut por qenit.
Dhe pas gati tri dekadave më vonë, e vërteta doli në dritë që habiti opinionin amerikan.
Gjykimi e kishte lënë atë me shpirt dhe trup të thyer, me një fjalë të vdekur, kishte shkruar gjykatësi John M. Mot në rigjykimin e vitit 2012, duke shtuar se jo vetëm që janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese, por me këtë verdikt është shkatërruar jeta e tij.
Tribble është liruar nga burgu pak vite para skadimit të dënimit. Sipas një vendimi të dhënë në janar të vitit 1980, është dashur të qëndrojë në burg deri në vitin 2019.
Gjykata e Lartë ka urdhëruar Uashingtonin t’i paguaj dëmshpërblim në vlerë prej 13.2 milionë dollarë, për ankthin mendor të shkaktuar, burgim të padrejtë dhe privim nga liria.
Edhe pse më në fund po prekur drejtësinë dhe lirinë, Santae Tribble nuk do të mund ta shijojë edhe aq gjatë. Gjatë qëndrimit në burg, vuante nga HIV dhe varësia e heroinës. Gjendja e tij shëndetësore është aq e keqe, sa që mjekët besojnë se nuk do ta pres 2019-ën. /Telegrafi/