LAJMI I FUNDIT:

Kuvend i vakive

Kuvend i vakive

Viti 2012 për Kuvendin e Kosovës ka qenë një vit i cili nuk dallon shumë nga vitet e tjera, përveç rrahjes së deputetëve në ndërtesën e Kuvendit, si dhe lëshimin e seancave plenare nga pozita, që paraqet një precedent tek sistemet parlamentare. Fjalë të mira e të këqija jepen nga pozita dhe opozita, por edhe monitoruesit e këtij institucioni më të lartë nuk kanë fjalë të mira, duke thënë se ky institucion është ende në kërkim të identitetit të vet.

Gjatë këtij viti në Kuvend janë proceduar 92 projektligje, prej të cilave 15 janë bartur nga viti 2011, ndërkohë 70 janë sjell për procedim nga Qeveria, 4 nga komisionet parlamentare, kurse nga deputetët 3 projektligje.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se gjatë këtij viti Kuvendi është ballafaquar me sfida të mëdha që ka kërkuar një mobilizim dhe një bashkëpunim për të dalë të suksesshëm.

“Jemi përballur me sfida mjaft të vështira, qoftë si legjislativ edhe si grup parlamentar, por edhe institucionet e vendit, edhe qytetarët e vendit, kemi përjetuar disa momente bukur të vështira, por bashkërisht i kemi tejkaluar të gjitha”, ka theksuar Grabovci për Kosovapress.

Por, krejt ndryshe mendon kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i cili thotë se këtë vit kanë ndodhur disa raste të pazakonta, si rasti kur deputeti pasi të votoj, kërkon të heq votën e tij, e që sipas tij, veprime të kësaj natyre e ngulfasin mendimin dhe vullnetin e deputetit.

“Në Kosovë fatkeqësisht, shumë veprime po shkojnë në këtë drejtim që po e ngulfatin edhe lirinë e mendimit në këtë rast edhe vullnetin e vet deputetit. Prandaj, mund të marrim përgjithësisht, Kuvendi me gjithë përpjekjet, sigurisht i shantazhuar, i ndikuar, dhe i diktuar nga partia në pushtet, ka bërë që të jetë edhe joefikas sa dhe si duhet, se njerëzit nën ethe nuk mund të kryejnë punën. Ju e dini që ka ndodhur ndërprerje të seancave, lëshim të seancave dhe nuk mund të lavdërohet një parlament kur ka një kokë e cila është xhandar dhe nuk e lënë punën me bërë ashtu siç duhet me bërë”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, vlerëson se këtë legjislaturë e dallon nga ato të kaluara, pasi që ka ndodhur rrahje mes deputetëve dhe lëshim i seancave nga koalicioni qeverisës.

“Realisht nuk dallon shumë prej viteve të tjera ose prej legjislaturave tjera, ndoshta vetëm një përjashtim që mund të jetë ose të veçohet ndodhi edhe dhuna fizike brenda këtij institucioni këtë vit dhe diçka që ndodhi një precedent ku shumica parlamentare e lëshon Kuvendin. Kjo nuk ka ndodhur askund, sepse shumica parlamentare i ka numrat e nevojshëm dhe duhet të ruaj mbarëvajtjen në seancat plenare. Përndryshe, kam përshtypje që Kuvendi i Kosovës është në kërkim të identitetit të vet”, ka thënë Selmanaj.

Kuvendi i Kosovës me Kushtetutë është përcaktuar si institucioni më i lartë i cili zgjedh edhe presidentin edhe Qeverinë dhe roli i tij është mbikëqyrja ose kontrolli parlamentar i Qeverisë, por sipas Selmanajt, fatkeqësisht asnjë në këtë fushë, as kontrollin e Qeverisë, as në rolin përfaqësues dhe as në interesin e ligjbërjes, Kuvendi nuk po mund të kryej mandatin e vet kushtetues.

Për më tepër, ai ka shtuar se edhe këtë vit ka vazhduar një tendencë e Qeverisë për të kontrolluar Kuvendin e Kosovës.

“Kemi një tendencë të vazhdueshme të Qeverisë për të kontrolluar Kuvendin, qoftë të agjendës, qoftë në rastet të fundit kur ndodh shumica parlamentare të lëshoj seancën, ky është një precedent i radhës, kur shumica nuk gjen formën e votimit, saboton. Gjithashtu fërkimet mes Shefit të Grupit Parlamentar të koalicionit qeverisës ose shumicës parlamentare e cila ka udhëhequr deri më tash vendin, si duket ka vënë shkëndijat e para se nuk mund të funksionoj ashtu, ose ka vënë shkëndijat e veta se ka nevojë për një rishikim të koalicionit, për një rishikim të mandateve të deputetëve, sepse u vë në pikëpyetje madje edhe mandati i deputetëve si kanë ardhur”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai më shumë është ithtar që Kosova të mos ketë fare një ligj se sa të miratoj një të keq, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet që tërë energjinë e vet të fokusoj në ligjbërje.

Ndërkohë, duke folur për opozitën në parlament, Selmanaj thotë se tani është një parti që po e përkrah Qeverinë pa hezitim, siç është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje thotë që kanë dallime të mëdha konceptuale, që i shkon për shtati më së shumti koalicionit qeverisës.

Ndryshe, gjatë vitit 2012,, Kuvendi ka mbajtur 48 seanca plenare, prej tyre 5 seanca solemne. Janë proceduar 92 projektligje, prej të cilave 15 janë bartur nga viti 2011, 70 janë sjell për procedim nga Qeveria, 4 nga komisionet parlamentare, kurse deputetët 3 projektligje. /Telegrafi/