LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Propozim-marrëveshja e Qeverisë duket si një Ahtisari++

Kurti: Propozim-marrëveshja e Qeverisë duket si një Ahtisari++

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka adresuar një mori kritikash ndaj propozim-marrëveshjes së Qeverisë Haradinaj për dialogun përfundimtar me Serbinë, duke thënë se me këtë dokument Serbia nuk do ta njoh Kosovën por do ta fitojë Zajednicën.

Në një konferencë për media, Kurti bëri të ditur se para tri ditësh në selinë e subjektit të cilin ai e drejton, kishin pranuar propozim-marrëveshjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, për marrëveshjen finale me Serbinë.


Për të është e pakuptimtë, se si raporti në fjalën i është dorëzuar vendeve të Quint-it, të enjten e fundit, teksa pa asnjë logjikë u formua ekipi negociator në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u mbajt këtë të shtunë, gjë që sipas tij, dëshmon se Qeveria ndodhet në një kaos “sui generis”.

Ai ka folur hollësisht për projekt-propozimin e Qeverisë, dokument ky prej 30 faqesh, që sipas tij, nuk është aspak i barabartë dhe nuk përmban në asnjë faqe të vetme termin ‘reciprocitet’.

Madje, ai ka thënë se është absurde se si një qeveri mund të hartojë një dokument të tillë, që lë të kuptohet se mund të jetë shkruar vetëm nga një shtet që nuk e njeh Kosovën.

“Materialin e propozim-marrëveshjes së tij me Serbinë, kryeministri Haradinaj na e solli në gjuhën angleze. Qartazi nuk e kishte me neve e për neve, por për ambasadorët e Quintit dhe me ta. Nuk e miratoi në Qeveri, nuk e solli në Kuvend por e diskutoi me ambasadorët. Me këtë material 30 faqesh, qartazi flitet për parime, por qasja është jo parimore. Është mungesë e parimit të reciprocitetit. Fjala reciprocitet nuk figuron askund në këto 30 faqe dhe, është qasje tipike e subordinimit dhe e dominiumit, jo e barazisë dhe reciprocitetit. Madje është një qasje e gjuhës së ndërmjetësuesit. Madje sikur ta kisha lexuar pa emrin e hartuesit në cover letër, fletën e parë, do të kisha menduar se këtë material e ka shkruar ndonjë shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e ndonjë shtet që nuk ka njeh neve, se lëre më këtë ta bëjë Qeveria e Kosovës siç është rasti tani”, tha Kurti.

I pari i Vetëvendosjes tha se në letrën e kryeministrit përmendet krejt në fund njohja e ndërsjellët, madje duke mos u përmendur askund njohja e pavarësisë.

Ai ngriti shqetësimet e tij edhe për faktin se dokumenti në fjalë nuk përmend askund shqiptarët në Serbi, përfshirë ata në luginën e Preshevës, teksa bëri të ditur se flet për kthimin e serbëve sikur të mos ishin shqiptarët që u larguan nga vendi i vet.

Sipas tij, ky dokument përmban edhe absurditete tjera, ku një ndër to është edhe ndarja etnike e policisë.

“Më shumë se 100 pika fillojnë me shprehjen palët, por në përmbajtje shumica dërrmuese e obligojnë Kosovën. Rreth 50 pika, apo paragraf, shprehimisht i adresohen Kosovës dhe vetëm disa sosh butësisht Serbisë. Dokumenti parasheh themelimin e një morie trupash e komisionesh e ekipesh të përbashkëta, midis Kosovës dhe Serbisë që në fakt e legjitimon praninë funksionale të Serbisë në Kosovë” , tha ai.

Me këtë marrëveshje të kryeministrit, Kurti tha se Kosova nuk do të arrijë asgjë, madje vetëm sa do të funksionalizohet Serbia.

Sipas tij, ky ishte dimri i vetmisë të madhe të presidentit Thaçi, në aventurën e tij personale me Vuçiqin, mirëpo tha se nëpërmjet këtij grupi negociator, Qeveria po përpiqet që t’ia zbusë sado pak vetminë atij. Teksa shtoi se të dy palët janë më gabim se njëra-tjetra.

“Me këtë marrëveshje të kryeministrit, që fillimisht duket si një Ahtisari++, gjithsesi e shkruar sikur nga një shtet që nuk na ka njohur, në fund, nuk do ta marrim njohjen e pavarësisë nga Serbia, por, ajo do ta fitojë Zajednicën brenda Kosovës. Shkëmbimit territorial të Thaçit, që në fakt është ndarje e Kosovës, Haradinaj praktikisht don t’i kundërvihet me Zajednicën që në fakt është bosnjëzim. Së cili më keq se tjetri. Asnjëri nuk është zgjidhje. Të dy janë probleme. Prandaj, për Lëvizjen Vetëvendosje, ky material në formën, qasjen, dhe përmbajtjen e tij është i papranueshëm dhe nuk do të duhej të dalë jashtë kabinetit të kryeministrit apo të atyre që e shkruan këtë dokument”, tha Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes ka folur konkretisht edhe për emërimin e ekipit negociator që u votua në Kuvendin e Kosovës këtë të shtunë.

“Këta kanë filluar me emra të përveçëm. Ashtu siç rehatojnë njerëz nëpër ministri, duan të rehatojnë edhe nëpër këto grupet negociatore punuese me Serbinë. Unë nuk shoh kurrfarë zgjidhje me mënyrën e tyre. Përkundrazi, do të ketë gabime të reja që do të jenë gabime të vjetra”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës këtë të shtunë për emërimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë, derisa ka bërë të ditur se as nuk do të jetë pjesë e këtij ekipi.

Në trend Lajme

Më shumë
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Drejtësi
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Lajme
Mot me shi - mundësi për vërshime në disa zona

Mot me shi - mundësi për vërshime në disa zona

Lajme
Kalo në kategori