LAJMI I FUNDIT:

Kur racio-ja unicentrist shfaqet nëpërmjet pasioneve policentrike

– Në lidhje me “rastin Bllaca” –

Filozofi anglez David Hume besonte se arsyeja është skllave e pasioneve. Një teori e tillë në praktikën e komunikimit dhe të marrëdhënieve sociale ndërmjet njerëzve, jo pak i ka hapur shteg idesë se mendimet dhe sjelljet e njeriut janë të diktuara nga interesat personale (pasionet personale). Teza se veprimet janë të diktuara nga pasionet personale, të shumtën do të përdorte si mjet arsyetimi për vlefshmërinë e mohimit që njëra palë do t’i bëjë qëndrimeve të palës kundërshtare.

Një tezë e tillë do të përdoret edhe në rastin kur do të synohet të relativizohet pesha e ndonjë problemi të shfaqur në një moment të caktuar, por me rëndësi për perspektivën e procesit të zhvillimit material, moral, kulturor, social, politik e historik të një kolektiviteti të caktuar.


Një tezë e tillë me funksion relativizmi të “çështjes”, u aktualizua këto ditë. Është fjala për “rastin Nazim Bllaca’. Ithtarë të një teze te tillë u bënë politikanë, analistë dhe qytetarë të zakonshëm. Të shokuar nga bombardimi mediatik, “rasti Bllaca" u pretendua të perceptohet si “dukje” e një “thelbi” irracional, e jo ashtu edhe siç është në të vërtetë – fenomen thellësisht racional, i shfaqur në trajtë irracionale pikërisht për ta fshehur karakterin e vet racional.

Si është e mundur që “krimi” para se të bëhet objekt i drejtësisë të behet objekt mediatik? Si është e mundur që, fillimisht opinioni të bombardohet me mesazhe mediatike që i sjellë një “vrasës”, dhe pas përfundimit të spektaklit, nga po të njëjtat media dhe politikanë, opinionit i thuhet se kjo çështje duhet t’i lihet drejtësisë?

Me 10 Shkurt 2007 në mes të Prishtinës policia rumune e UNMIK-ut vrau Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, ndërsa plagosi mbi 80-të persona për shkak se demonstruan në kundërshtim të Planit të Ahtisarit. Atë kohë, politikanë dhe analistët, nuk pritën që “gjyqësori” që ta thotë fjalën e vet (UNMIK-u, tashmë pasi ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen e Arbenit dhe Xheladinit, provoi ta “shuaj drejtësinë” duke u ofruar para familjarëve të tyre). Atë kohë u dënuan njëzëri edhe demonstruesit, edhe të rrahurit, edhe të plagosurit, dhe krejt në fund edhe të rënët.

Shtrohet pyetja: në “rastin Bllaca” a ishin ‘viktimat” që kërkonin “drejtësi” ato që kishin nevojë për mbështetjen e mediave, apo ishte “drejtësia” ajo që kishte nevojë për mbështetjen e mediave?
Vërtetë a dështuan institucionet e Kosovës përballë Nazim Bllacës? A dështoi EULEX-i përballë Nazim Bllacës? Jo.

Një konstatim i tillë vlen si për rastin e parë ashtu edhe për të dytin. Pse? Sepse dështimi kuptimësohet vetëm në raport me synimin, ashtu sikur që zhgënjimi në raport me shpresën. Shpresa i paraprinë zhgënjimit, ashtu sikur që synimi i paraprinë dështimit. Atje ku është synimi, potencialisht është dështimi. Institucionet vendore në momentin kur kanë pranuar Pakon e Ahtisarit drejtpërdrejtë hoqën dorë nga synimi për të pasur monopolin ndaj aparateve shtetërore që e bëjë funksional sistemin e drejtësisë, e kjo do të thotë se ata hoqën dorë prej një komponenteje të sovranitetit, e cila pavarësisë së një shteti i jep përmbajtje.

Në mungesë të synimit, institucionet vendore, të shumtën e rasteve (përpos kur preken interesat personale të individëve dhe grupeve të interesit) nuk që janë të interesuara ta kuptojnë e as ta shohin dështimin edhe kur ai është më se i dukshëm.

Ndërkaq, EULEX-i përkundër institucioneve vendore, do të “dështojë” me qëllim që ta realizojë synimin: në emër të luftës kundër krimit të organizuar (kujtojeni bilbordet e EULEX-it gjithandej për 467 raste) do të synojë ta thellojë “gamën e kriminalitetit” të luftës së UÇK-së, e kjo do të thotë të kriminalizohet baza mbi të cilën duhet të ngrihet siguria e të ardhmes të popullit shqiptarë në Kosovë.

Tregues i përkujdesjes ndaj një “dështimi” të tillë është shqiptimi i masës së arrestit shtëpiak për Nazim Bllacën nga ana e EULEX-it. “Rasti Bllaca” në fakt është “ceremonia solemne”, e fillimin të zbatimit të Protokollit të nënshkruar ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Roli i mediave në këtë mes ishte që këtë “ceremoni” ta bënin sa më publike. Vetëm ashtu ajo që është e papranueshme, sepse e panatyrshme, do të mund të bëhet tash e tutje e natyrshme me qëllim që të jetë e pranueshme(!).

Në të vërtetë mediat, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, i paraprinë gjyqësorit që gjyqësori t’i paraprijë politikës. Pse themi kështu?

Koha e paraqitjes, mënyra e paraqitjes, vendi si dhe nevoja e theksuar për mediatizimin e çështjes, pastaj mos reagimi i organeve të rendit, (EULX-it, Policisë së Kosovës, organeve gjyqësore, më në fund, pse jo, edhe e KFOR-it) krijojnë pamjen e përgjithshme se pasione singulare të individëve, grupeve dhe institucioneve të caktuara, i janë nënshtruar një arsyeje monolite me objektiv të qartë politik.

Shfaqja e një arsyeje të tillë manifestohet në tërësinë e deklaratës së Nazim Bllacës, në qendër të së cilës është ideja për kriminalizmin, në radhë të parë, të luftës së UÇK-së. Në të vërtetë përmbajta e deklaratës së Nazim Bllacës (edhe pse me plot kundërthënie), e shpërfaq logjikën unicentirste së cilës iu janë nënshtruar aktet e veçanta praktike (konferencat me gazetarët brenda Kuvendit të Kosovës dhe jashtë saj, heshtja e institucioneve vendore dhe mos reagimi i EULEX-it).

Tani shtrohet pyetja si është e mundur që një deklaratë e një individi “ta lëkund gjithë sistemin politikë”, të shkaktojë aq habi e frikë njëkohësisht në mesin e popullatës?

Një reagim i tillë flet për gjendjen jo të qëndrueshme të ndërgjegjes morale kolektive në Kosovë, joqëndrueshmëri kjo që manifestohet sa herë ajo vihet në raport me vlerën e luftës së UÇK-së. Është sistemi politik i instaluar nga UNMIK-u, e tash i vazhduar nga PCN dhe EULEX-i, ai që do ta promovojë një sistem të paqëndrueshëm të ndërgjegjes kolektive morale shqiptare, sepse vetëm ashtu do të mund të justifikojë ekzistencën e vetë antidemokratike dhe ta pamundësojë mundësinë e dështimit, si potencial që e përmban në vetvete synimit politik për një “Kosovë sa më pak shqiptare” dhe sa më shumë “multietnike”.

Lufta e UÇK-së në raport me bashkësinë ndërkombëtare është definuar si konflikt i armatosur, e jo si luftë çlirimtare e një populli të kolonizuar, prandaj kemi edhe të akuzuar dhe të dënuar nga Tribunali i Hagës. Në raport me Serbinë, për shkak se lufta nuk është shpallur e përfunduar (sepse nuk ka një marrëveshje ndërmjet saj dhe Kosovës për përfundimin e luftës, me ç’rast do ta shpallej kaputillimi edhe juridik i Serbisë kundruall Kosovës), lufta e UÇK-së vazhdon të konsiderohet “terroriste”.

Në planin e brendshëm mbizotëron mendimi se lufta e UÇK-së, si vlerë historike dhe morale e kombit shqiptar, është njëra nga format e rezistencës (shih ti “njëra nga ato” (!)), por jo edhe një domosdoshmëri historike, prandaj edhe “mundësia që ajo të ketë edhe përbërës kriminal”, prandaj edhe “mundësia që ajo të jetë e kriminalizuar” (!).

Derisa ndërgjegjja morale kolektive shqiptare nuk do të lirohet nga mjegulla e përhapur nga politikanë servil se Lufta e UÇK-së nuk është në kundërshtim me vlerat e demokracisë perëndimore – qëndrim ky i përfshirë përmes pranisë së mungesës së kësaj vlere në Deklaratën Kushtetuese të Kosovës – për aq kohë do të ketë “tërmete” nga deklaratat e Nazim Ballcëve, sot dhe nesër.

Në qoftë se me decentralizimin dhe zonat e mbrojtura janë krijuar të gjitha kushtet juridike dhe fizike (territoriale) që Pavarësia pa sovranitet e Kosovës të mbetet në “gjendje të ngrirë”; ndërgjegjja morale kolektive shqiptare, si faktor i brendshëm shpirtëror duke marr qëndrim ambivalent ndaj vlerës së luftës së UÇK-së: edhe si Luftë Çlirimtare Antikoloniale në njërën, dhe edhe si luftë me “përbërës kriminal” në anën tjetër, do të mbetet “ndërgjegje e ngrirë”, e cila kurrë nuk do të jetë e aftë të hyjë në raport me vizionin për të kaluarën dhe aq më pak të krijojë vizione të reja për lirinë dhe të ardhmen e kombit. Përkundrazi ajo vetëm sa do të bëhet pengesë e tyre. Pse? Sepse një situatë e tillë e “ngrirë e ndërgjegjes morale” në mënyrë reciproke do të vihet në funksion të mirëmbajtjes së “gjendjes së ngrirë” të Pavarësisë pa sovranitet të Kosovës, dhe nëpërmjet saj ajo do ta mirëmbajë vetveten.

Fatin e luftës së UÇK-së nuk mund ta përcaktojë zgjidhja juridike që do ta ofrojë EULEX-i për “rastin Bllaca”, për të cilën aq shumë shpresojnë politikanët tanë. Zgjidhja e drejtë me perspektiv historike e raportit të ndërgjegjes sonë morale-kolektive me vlerën e luftës së UÇK-së do të përcaktojë zgjidhjen përfundimtare të të gjitha “rasteve të Bllacëve” .

Në librat e shenjt thuhet: mëkati ndaj mishit falet, mëkati ndaj frymës nuk falet.
Mëkatet tona ndaj vlerës së luftës së UÇK-së janë të pafalshme!

Në trend

Më shumë
Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Lajme
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Kroacia
Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Magazina
Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Boks
Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Magazina
Kalo në kategori