Ai nis si një rend shoqëror ku do të triumfojnë barazia, drejtësia dhe mirëqenia për të gjithë. Besimtarë nga kudo mblidhen në shtetin e ri, me një ndjenjë solidariteti, vëllazërie dhe entuziazmi ngjitës. Sipas një logjike degraduese të çdo konstruksioni utopik, edhe qyteti ideal shndërrohet në pak kohë në ferrin mbi tokë. Izolimi prodhon mjerim ekonomik, përjashtimi i të ndryshmëve varfëri mendore dhe egërsi. Regjimi nis ekzekuton ndjekësit e vet – ata që i ka lëshuar zemra, që ankohen, që dezertojnë. Ju ngjan me ndonjë nga raportimet aktuale rreth të vetëquajturit Shtet Islamik (IS) dhe asaj që ata e quajnë luftë e shenjtë, por që nuk ka asgjë të shenjtë? Në fakt, është një kapitull i gjatë nga rebelimi i Mynsterit, në romanin “Vepra në të zezë” të Margërit Jorsënar. Ngjarjet zhvillohen në shekullin e XVI-të.
Ne jemi shumë të lidhur me ‘këtu’ e ‘tani’ dhe mbulimi mediatik global i amplifikon ngjarjet thua se po i afrohemi apokalipsit. Mirëpo, episode barbarie, maskuar nën petkun e idealizmit janë jo të rralla përgjatë historisë së njerëzimit, në një përballje të forcave progresive me ato regresive sipas radhës: së pari vizionet, e pastaj vullnetet që ndeshen. Si përfundon narrativa? Pavarësisht ulje-ngritjeve, fitimtarë dalin forcat progresive. Plotësisht dialektike!
Faktet tregojnë se, ndërsa flasim, territori i IS-it është tkurrur me 25 për qind kurse të ardhurat për 75 për qind. Ҫka e bën shumë të vështirë për “Kalifatin” ofrimin e shërbimeve për tetë milionë njerëzit nën sundimin e tij. Kokëprerjet e inskenuara nën një regji që përngjan në filmat hollivudianë përplot efekte, mbjellja e terrorit përforcuar nga instrumente të propagandës, prania e luftëtarëve të huaj, mbushja e zbrazëtisë në shtete si Libia dhe Tunizia – afrimi pra drejt Mesdheut – kanë nxitur mobilizim dhe kundër-reagim.
Shtetet kanë kuptuar se kërcënimi ndaj integritetit territorial nuk mund të luftohet individualisht; ai kërkon një doktrinë të përgjegjësisë kolektive. Kërkon bashkërendim, sado i vështirë qoftë ky, edhe mes shtetesh që kanë shumë çështje të hapura mes tyre si psh., Kosova dhe Serbia. Ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të dy vendeve u gjendën në të njëjtën sallë konference në Vjenë fundjavën që lamë pas, së bashku me homologë nga Shqipëria, Maqedonia, Italia, Mali i Zi, Austria – si vend pritës. Pengesat dhe provokimet – pjesë e menysë serbe: ministri i tyre i Jashtëm, Ivica Daçiq, nuk kurseu zëvendëskryeministrin e Kosovës, z. Thaҁi, duke e etiketuar lëvizjen çlirimtare në Kosovë si “ekstremistët e dikurshëm” apo vënë theksin në kufijtë me Kosovën dhe Bosnjën si “kërcënimin kryesor fetar për Serbinë”, komente të cilat i ironizoi dhe zhvlerësoi folësi i radhës, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Në fakt, arritjet e Kosovës në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – mes të cilave duhet përmendur dënimi deri në 15 vjet burg në kuadër të ligjit për parandalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja apo arrestimet e elementëve aktivë në rekrutimin e luftëtarëve për Siri – janë pranuar edhe nga zyrtarë të lartë, mes të cilëve sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri. E nëse luftimi, i domosdoshëm dhe i pashmangshëm siç është, përbën etapën e fundit, cilat janë etapat e tjera?
Konferenca dha një përgjigje për këtë: formimi dhe parandalimi.
Ne ankohemi në vazhdimësi për mungesën e vlerave në shoqëri. Ndodh që keqkuptimi nis prej perceptimeve të ndryshme për atë që përbën vlerë. Të themi, një nga vlerat më të cituara është liria. E dimë, “liria ime përfundon aty ku nis e jotja”. Por çfarë aksioni kërkon ushtrimi i lirisë nga secili? Përgjegjësi, së pari. Vetëdisiplinë së dyti. Ta thuash, është më e lehtë se ta bësh. Një shembull tjetër: ne flasim për Republikën dhe qytetarinë. Nëse do t’i zbërthenim në veprime të përditshme, parimi republikan do të thotë e mirë e përbashkët, vullnet për aksion dhe vullnetarizëm. Tani, nëse ndihemi të kërcënuar në ekzistencën tonë laike, nëse stili ynë i të jetuarit vihet në pikëpyetje nga radikalizmi fetar, do të ishte e logjikshme të vepronim. Në fakt, kjo ndodh pak. Në internet gjen mijëra video ekstremiste, edhe në shqip, por pak postime rreth edukimit qytetar, tolerancës, respektit dhe diversitetit.
Por, po sikur në vend të “vlerë” të përdorim “të drejtat themelore” dhe të angazhohemi në shpjegimin e tyre sa më shumë që është e mundur dhe integrimin sa më dukshëm që është e mundur, duke përfshirë familjen, shkollën, institucionet?
Kjo është e rëndësishme, sepse nga privimi prej disa lirive themelore, siç i quajmë sot, kanë rrjedhur manipulime të mëdha. Meqë jemi tek Islami: devijimet në të janë bërë, historikisht, nga kalifë dhe klerikë që kanë kuptuar potencialin e fesë për të kontrolluar masat dhe ruajtur pushtetin. Një nga shembujt e parë të devijancës është sheriati. Sot konsiderohet si i padiskutueshëm në tërësinë e tij, mirëpo shumë nga urdhëresat u sajuan në shekullin e IX-të, qindra vite pra pas vdekjes së profetit Muhamet. Ishte koha e sundimit Abasid. Po gjatë këtij sundimi, në shekullin e X-të, kalifi Abdul Kadir denoncoi mendimin kritik si të kundërt me Islamin, përkundër shumë vargjeve në Kuran që i nxisin besimtarët të mendojnë, reflektojnë dhe ngrenë pyetje. Teologu Ibn al-Rauandi vinte në lojë skolastikët fetarë rreth nonsensit të parajsës plot me virgjëresha kurse filozofi i shekullit të XII-të, Ibn Rushdi, argumentonte se çështjet e besimit duhet të vendosen vetëm mbi bazën e arsyes. Veprat e të dyve u ndaluan! Ende më vonë, në Pakistan, blasfemia u konsiderua krim vetëm prej vitit 1860. E panevojshme të nënvizoj se ky devijim nuk kishte aspak lidhje me Islamin.
Jo pak myslimanë në botë ishin ndier të fyer nga karikaturat e “Charlie Hebdo”, duke harruar se karikaturimi i vërtetë i profetit dhe Kuranit është bërë nga klerikë e kalifë që ata sot i reverojnë!
Mësimi në nivel institucional? Është e rëndësishme të inkurajohet e mbështetet edukimi i imamëve nga Kosova e Shqipëria në mjedise, shkolla, shoqëri, vende, ku vlerat fundamentale respektohen dhe promovohen. Kjo do të bëjë të mundur që në kthim, komunikimi me besimtarë të jetë në frymën e të menduarit kritik, tolerancës dhe respektit.
Nëse IS-i ka nisur fillimin e fundit, nëse të tjera forma pararendëse të ekstremizmit të dhunshëm kanë dështuar, kjo ka ndodhur, sepse ato nuk kanë përbërë model për shoqërinë. Lindja dhe fuqizimi i tyre njëherësh janë sinjale se diçka nuk shkon mirë me shoqëritë e hapura dhe demokratike. Por këto shoqëri, progresive në thelb, kanë një fuqi të brendshme magjike: aftësinë për reflektim dhe vetëkorrigjim. Nëse aspekti i luftimit merret me “ata”, formimi dhe parandalimi merret me “ne”, me përmirësimin tonë dhe pajtueshmërinë për më shumë edukim, përfshirje, kohezion dhe drejtësi sociale.
(Marrë nga: Gazeta Shqip)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Franca i bashkohet SHBA-së, kërkon mineralet e rralla të Ukrainës

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

Ndalohet kontrabanda me mallra nga Maqedonia e Veriut – arrestohen të dyshuarit, të njëjtit sulmuan policinë në momentin e ndalimit

Lista Serbe do t'i dërgojë 500 njerëz në Beograd për ta mbrojtur Vuçiqin

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA, e krahason me 'majmun kacavjerrës'

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Cila është rruga e 'Gold Card' e Trump drejt shtetësisë dhe si mund të funksionojë?