Site icon Telegrafi

Kryetari i “Amëza e Shqiptarëve në Serbi”: Çlirimi ka pasur gjakderdhje mes trurit të madh e të vogël

Demo Berisha, kryetar i Shoqatës “Amëza e Shqiptareve në Serbi” ka thënë ata janë përpjekur të marrin të gjitha masat për të zbardhur rastin e rrahjes së dy shqiptarëve në Novi Sad.

Berisha, në lidhje telefonike në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se sot e ka vizituar Çlirim Malokun dhe, sipas tij, gjendja e tij momentale është jashtë rrezikut për jetë.

“Janë rrahur Çlirimi dhe Brendoni, derisa po prisnin një taksi për të shkuar në shtëpi, në atë moment janë rrahur nga disa huliganë”, tha ai.

“Brendoni sot ka vazhduar punën pasi është qytetar i Novi Sadit edhe pse ka origjinë nga Prizreni. Çlirimi ka pasur gjakderdhje të brendshme mes trurit të madh dhe të vogël por falë ndërhyrjes profesionale të mjekëve, ai tashmë është jashtë rrezikut për jetë, dhe shpresojmë se nuk do të ketë pasoja për shëndetin e tij”, tha ai përcjell Telegrafi.

Berisha ka thënë se Çlirimi do të qëndrojë edhe më tej në spitalin e Novi Sadit me rekomandimin e mjekëve.

“Do të qëndrojë së paku edhe shtatë ditë në spital, pasi mjekët këshillojnë se ai për momentin nuk duhet të lëvizë për të rrezikuar diçka”.

Kryetari i shoqatës “Amëza e Shqiptareve në Serbi” ka thënë se Novi Sadi është një qytet multietnik dhe këto dy vitet e fundit pothuajse situate ka qenë e qetë./Telegrafi/

Exit mobile version