Kryeministri kërkon përfundimin e privatizimit

Kryeministri tha se ky proces ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kërkoi që gjysma e vitit të jetë vendimtare për mbylljen e suksesshme të tij. “Ajo cfarë ka mbetur në aksionet apo asetet e koorporatave duhet të shitet. Ky duhet të jetë dhe jam në dijeni se ministria e Ekonomisë ka kontraktuar shumë muaj më parë konsulencën më të mirë botërore”, tha zoti Berisha.
Ai tha se në proces privatizimi janë edhe 1280 objekte dhe në rastet kur kanë pronarë, pronarit do t’i respektohet e drejta e parablerjes, ndërsa të tjerat do të privatizohen në përputhje me rregullat.
Kryeministri shtoi se Shqipëria është vendi me sektorin publik më të vogël ne Europë dhe në tërësi, prodhimi i brendshëm në masën 84 përqind, vjen nga sektori privat. “Shqipëria do ketë si pronë publike, digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet kombëtare e tokat pa pronarë, të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin administrimin, menaxhimin e sektorit privat”, tha zoti Berisha duke shtuar se kjo do e bëjë ekonominë shumë konkurruese./Telegrafi/




















































