Krye epidemiologu suedez, Anders Tegnell tha se që nga fillimi i korrikut, ka një rënie të shpejtë të numrit të të infektuarve në Suedi.
Por pse po ndodh saktësisht dhe pse ishte kaq e papritur, mendon se është pak e vështirë të kuptohet plotësisht këtë, tha ai në një intervistë për portalin The Local.
Ai shtoi se rënia e numrit të të infektuarve nuk duket se ka të bëjë me festat apo ndonjë masë të marrë nga autoritetet shëndetësore.
“Ne besojmë se rritja e numrit të njerëzve me imunitet në popullatë ka të bëjë me të, por ne me të vërtetë nuk e dimë saktësisht”, tha Tegnell, transmeton Telegrafi.
Ai beson se ulja e numrit të rasteve me coronavirus në Suedi tregoi se strategjia e tyre, sipas së cilës u shmangën masat e rrepta të marra nga shumica e vendeve, pati sukses në një farë mënyre.
“Numrat në Suedi tregojnë se mund të ketë rënie të shpejtë të numrit të rasteve pa mbyllje”, shtoi epidemiologu suedez.
Tegnel pranoi se numri i rasteve të reja me COVID-19 është rritur paksa gjatë javës së kaluar, veçanërisht në mesin e të rinjve.
“Por duket se ne mund ta trajtojmë atë”, tha Tegnell. Ai theksoi se një nga gjërat që dihet tani në lidhje me coronavirusin është se është një sëmundje shumë e paparashikueshme.
Ndryshe, sipas të dhënave më të fundit, 5,763 njerëz kanë vdekur nga coronavirusi në Suedi, pothuajse pesë herë më shumë sesa së bashku Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda. /Telegrafi/