LAJMI I FUNDIT:

Krijohet portreti tredimensional i Shakespearit

Krijohet portreti tredimensional i Shakespearit

Duke përdorur teknologjinë 3D, shkencëtarët kanë arritur të rikonstruktojnë fytyrën e William Shakespearit, njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Siç kanë thënë ata, kjo është fotografia e parë e cila paraqet Shakespeare tamam ashtu siç ka qenë në të vërtetë.

Modeli 3D në mënyrë radikale ndryshon nga ato imazhe e deritanishme që paraqisnin shkrimtarin e njohur anglez. Më shumë rreth mënyrës se si është krijuar ky model foto, publikut do t’i prezantohet në dokumentarin “Maskat e vdekjes” që do të jepet premierë me 13 të këtij muaji në History Channel.

“Rezultatet e hulumtimit forenzik janë mahnitëse. Ato dëshmojnë se modeli 3D që kemi krijuar paraqet Shakespearin tamam ashtu siç është dukur”, ka thënë regjisori i këtij dokumentari Stuart Clarke, raporton "Daily Mail".

Po ashtu, grupi i Clarke ka realizuar edhe modelet tredimensionale të Napoleonit, Cezarit, George Washingtonit dhe Abraham Lincolnit. Reinkarnimi i pamjes së tyre është bërë në bazë të skenimit të maskës së vdekur apo maskave që janë realizuar derisa ata kanë qenë gjallë. Producentët e këtij dokumentari kanë parashikuar se ky realizim do të nxisë interesim të madh për faktin se shikuesve do t’u mundësojë të mësojnë se si janë dukur disa prej personaliteteve më të njohura të historisë.

Po ashtu, regjisori i dokumentarit ka thënë se edhe modeli tredimensional i Napoleonit dallon nga imazhet në të cilët është paraqitur deri tani udhëheqësi francez përderisa modeli i George Washingtonit aspak nuk ngjan me atë që është prezantuar në kartëmonedhën e dollarit. Megjithëkëtë, ekspertët parashikojnë se polemikat më të mëdha do të jenë rreth imazhit të William Shakespeare.

Shumica konsiderojnë se maska e zbuluar në Gjermani më 1840 nuk i takon shkrimtarit me nam. Por ekspertet pas disa analizave të bëra, kanë konkluduar se kjo maskë – në të cilën është bazuar krijimi i modelit 3D – është e Shakespearit dhe në bazë të saj kanë kuptuar se shkrimtari i njohur, para se të vdiste, ka qenë i sëmurë nga kanceri. /Kohanet/Telegrafi/