Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus, gjatë një interviste dhënë për Die Welt, vetëm dy ditë para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, që do të bashkohen në Bukuresht.

Reklama

“Mbështetja e fortë e Gjermanisë bën një ndryshim vendimtar” shtoi Stoltenberg, transmeton Telegrafi.

Gjermania është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme nga zyrtarë të lartë ukrainas, për vonesën në sigurimin e pajisjeve ushtarake dhe për refuzimin e dërgimit të armëve të rënda.

“Pajisjet gjermane shpëtojnë jetë në Ukrainë”, tha ndër tjera Stoltenberg, i cili shtoi se “të gjithë ne duhet të ruajmë mbështetjen për Ukrainën dhe në mënyrë graduale ta rrisim atë”.

Reklama

Ndër armët që Gjermania i dorëzoi Ukrainës, është sistemi modern raketor Iris-T, i destinuar për mbrojtje kundër sulmeve ruse me raketa dhe dron, ndërkaq vitin e ardhshëm, Gjermania duhet të dërgojë edhe tre të tjerë.

Reklama

Në anën tjetër Stoltenberg tha se presidenti rus Vladimir Putin po reagon me brutalitet të shtuar, ndaj tërheqjes së ushtrisë së tij nga rajone të ndryshme në Ukrainë.

E për ta dëshmuar këtë e mori shembull bombardimin e rrjetit energjetik të Ukrainës, në muajt ku temperaturat kanë rënë nën zero.

“Putin po tenton ta shfrytëzojë dimrin si armë, por kjo nuk do t’i funksionojë”, shtoi shefi i NATO-s. /Telegrafi/

Reklama