Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vesel Krasniqi, në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për pagesat e subvencionimeve dhe granteve për fermerët për vitin 2018 dhe hapjen e programit për vitin 2019.

Sipas tij, bujqit shumë shpejtë do t’i marrin pagesat e mbetura nga viti i kaluar dhe sipas tij kjo vonesë ka qenë nga miratimi i vonshëm i buxhetit qendror.

“Ka mbetur që këtë javë të kryhet. Kemi pasur edhe ne vonesa të miratimit të buxhetit, ku kemi pasur obligim 2.5 milionë euro obligime subvencione nga viti i kaluar. Ka pasur një volum të madh të pagesave edhe të granteve njëkohësisht dhe besoj se shumë shpejtë do t’i marrin”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi.

Ai ka treguar se në mesin e kësaj jave do të fillon programi për subvencionim për vitin 2019.

“Shumë shpejtë do të fillojmë me programin për vitin 2019. E kemi bërë edhe një analizë të programit, besoj se nga mesi i javës do të lëshohet nga ministrja”, tha ndër të tjera zëvendësministri Krasniqi.

Prononcimin e plotë të zëvendësministrit Krasniqi mund ta ndiqni nga minuta 1:22:00 deri 1:24:00. /Telegrafi/