LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi kërkon ndihmë nga Shoqata Olimpike e Bayern-it

Krasniqi kërkon ndihmë nga Shoqata Olimpike e Bayern-it

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, pritën në një takim Presidentin e Shoqatës Olimpike të Bayern-it, Michael Schultz – Tholen.

Sikur edhe në takimet tjera që ka pasur me shumë zyrtarë të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare për sportet olimpike, ministri Krasniqi edhe në këtë takim përmendi rëndësinë jetike të pjesëmarrjes së sportistëve tanë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ai tha se për MKRS-në, dhe të gjitha institucionet sportive dhe ato shtetërore, ky është një prioritet dhe njoftoi Mciahel Schultz – Tholen me hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim deri më tash.

Ministri, po ashtu, tha se po punohet mjaft në këtë drejtim dhe do të punohet shumë edhe në të ardhmen në mënyrë që sportistët tanë të mos mbesin të izoluar.


Ministri Krasniqi më këtë rast kërkoi nga Presidenti i Shoqatës Olimpike të Bayern-it që të ndihmojë në sensibilizimin e çështjes së pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në LO “Londra 2012”.

Nga ana e tij, Michael Schultz – Tholen ishte i mendimit se është mjaft e rëndësishme që sportistët nga Kosova të marrin pjesë në organizimin e radhës të lojërave olimpike. Ai premtoi se do të shfrytëzojë ndikimin që ka në mekanizmat ndërkombëtarë olimpikë në mënyrë që sportistët e Kosovës të jenë në listën e sportistëve pjesëmarrës në gara të ndryshme.

Ministri Krasniqi dhe Michael Schultz – Tholen u pajtuan të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që të arrihet sa më shpejtë anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. /Telegrafi/