Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), repsketivisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), kanë organizuan konferencën “Diplomacia dhe Turizmi”, me rastin e Ditës Botërore të Turizmit.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Turizmit do të ishte njësoj si anëtarësimi në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Po ashtu, ai shtoi se ndër prioritetet e para të tij si ministër do të jetë ngritja e strukturës institucionale, respektivisht rifunksionalizimin e departamentit të turizmit, përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore, si dhe të bëjë riaktualizimin e projektit të Brezovicës dhe të ftojë investitorët për të investuar në këtë projekt.
Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Albert Prenkaj, tha se Kosova mund të identifikohet si një pikë shumë e rëndësishme e promovimit dhe zhvillimit të turizmit.
Sipas tij, nga perspektiva e politikës së jashtme, zhvillimi i turizmit në Kosovë duhet të shihet si pjesë e një rajoni, e një tërësie turistike rajonale.
Konferenca ka për qëllim prezantimin e mundësive për promovimin e turizmit në Kosovë përmes diplomacisë, si dhe për mundësinë e rritjes së kapaciteteve në fushën e turizmit kosovar. /Telegrafi/