Në Kosovë, ende nuk ka definim të një vije sa i përket rajonalizimit të mbjelljeve të kulturave bujqësore. Arsye për këtë, mund të jenë edhe kushtet klimatike që ka vendi. Megjithatë, ekspertë të bujqësisë theksojnë se përmes rajonizimit bëhet rezervimi i rajoneve të caktuara bujqësore vetëm për prodhimin e produkteve të caktuara bujqësore.

Halim Gjergjizi, tha se përmes rajonizimit do të krijohen kushtet për prodhimtarinë e specializuar të produkteve të caktuar bujqësore. “Që fermerët kosovarë të jenë konkurrent në tregun vendor dhe të jashtëm duhet të specializohen në prodhimin e produkteve të caktuara. Duke u specializuar, fermerët e zvogëlojnë koston e prodhimit, prodhojnë produkte cilësore dhe risin sasinë e prodhimit. Në këtë mënyrë ata janë konkurrent në treg duke i rrit shitjet. P.sh rajonet e prodhimit të rrushit, të perimeve, pemëve, produkteve blegtorale etj. Në këto rajone duhet të ndalohen aktivitetet jobujqësore”, thekson Gjergjizi.


Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, kanë krejt tjetër mendim. Adil Behramaj, zëdhënës në këtë ministri thotë se klima dhe kushtet agroklimatike janë pothuajse të ngjashme në tërë territorin e vendit dhe rajonalizimi i prodhimtarisë bujqësore nuk do të kishte shumë ndikim. “Të gjitha kulturat bujqësore që kultivohen në rajonin e Dukagjinit, mund të kultivohen edhe në rajonin e Anamoravës ose Anadrinisë. Por, nëse kultura të caktuara mbillen në hapësira më të gjëra do të krijoheshin edhe identitete të reja bujqësore, ashtu shembull siç identifikohet komuna e Vushtrrisë me pataten, Mamushes me domaten, Rahovecit me rrushin dhe Istogut me mollët”, thekson Behramaj.

Kamer Brahmimaj, shpjegon se bujku nuk e mbjell një kulturë nëse ajo tokë nuk e prodhon atë. “Unë nuk mendoj se bujqit tanë mbjellin diçka që toka e tyre nuk e prodhon. Prandaj, konsideroj se bujqit tashmë janë të vetëdijshëm dhe janë vet të orientuar në prodhimet e tyre në rajonet ku ata jetojnë”, tha Brahmimaj.

Por, profesori Halim Gjergjizi, ekspert i Politikave Bujqësore, shpjegon se rajonalizimi është një ndër kushtet që shteti ynë duhet ta plotësoj para se të anëtarësohet në BE. /FermaIme/Telegrafi/