Site icon Telegrafi

Kosova në pritje të raportit për çështjen e vizave, Komisioni Evropian ende s’ka datë

Edhe pse njëri nga kushtet që kishte vënë Bashkimi Evropian për liberalizim, ai i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi ka përfunduar, Kosova vazhdon të jetë në pritje të raportit nga Komisioni Evropian (KE), me të cilin do të vlerësohet nëse vendi e ka plotësuar kushtin e fundit për liberalizim të vizave, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Mirëpo bazuar në përgjigjen për Telegrafin nga Komisioni Evropian duket se Kosova ka ende punë për të bërë në përmbushjen e kriterit të dytë për vizat.

Në përgjigjen e tyre me shkrim thuhet se vazhdon vlerësimi i BE-së në punën që ka bërë Kosova në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të pyetur se kur pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për procesin e liberalizimit, ata nuk ka dhënë asnjë datë të përafërt për këtë, ani pse liderët politikë në Kosovë patën deklaruar se kjo do të bëhet në fund të qershorit, e më së largu në javën e parë të këtij muaji.

Lexo po ashtu Pacolli: Në fund të këtij muaji do të kemi datën për liberalizim të vizave

“Në vitin 2016, Komisioni paraqiti propozimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën, në kuptimin se deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do ta ketë ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin dhe Zi dhe do të ketë përforcuar të dhënat e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova ka kaluar fazën e parë më 21 mars, kur është ratifikuar marrëveshja për ndarjen e kufirit me Malin e Zi.

Kur bëhet fjalë për rekordet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vlerësimi vazhdon. Pasi të plotësohen kushtet, propozimi i Komisionit duhet të miratohet formalisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Telegrafin.

Lexo po ashtu Kosova ende pa datë për liberalizimin e vizave

Kujtojmë se krerët e institucioneve të Kosovës, qytetarëve të tyre iu kanë premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010.

Për premtime dhe dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian, krerët e institucioneve në Prishtinë ishin kritikuar disa herë nga mekanizmat ndërkombëtarë. /Telegrafi/

Exit mobile version