LAJMI I FUNDIT:

Kosova në lojën putiniste

Kosova në lojën putiniste

Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj, Kosova është njohur nga shumica e shteteve të botës, është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale, megjithatë ajo vazhdon të mbetet jashtë familjes së madhe të OKB-së dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Subjektivitetit i saj ndërkombëtar vazhdon të jetë i cunguar. Kjo situatë është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh, të brendshëm e të jashtëm, rajonalë dhe jashtërajonalë.

Midis faktorëve të jashtëm, padyshim, Rusisë putiniste i takon “merita” kryesore për krijimin e pengesave dhe vështirësive, me të cilat po ballafaqohet Kosova në rrugën e afirmimit të shtetësisë së saj, në rrafsh ndërkombëtar.

Kremlini vërtet dështoi në përpjekjet e tij intensive për ta bllokuar dhe minuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por tani ka se me çfarë të “mburret”, sidomos, me dëmin që po i shkakton asaj për t‘u njohur ndërkombëtarisht.


Në intervistën e parë të Presidentit rus për vitin 2016, botuar në tabloidin e njohur gjerman, “Bild”, me 11 janar, Kosova zë një vend qëndror, ashtu siç ka ndodhur në intervistat dhe fjalimet e tij më të rëndësishme, tash 16 vjet, sa është në pushtet.

Kosova është një ndër kuajt e betejës që Putini ka përdorur dhe po përdor kundër Perëndimit, krahas atyre për “pasojat” e zgjerimit të NATO-s dhe mbrojtjes antiraketë.

Në dy mandatet e para, mantra e Putinit për Kosovën, e përsëritur pa fund, në Kremlin, në Bruksel, në Nju Jork (OKB) dhe në vizitat e tij në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine ishte kjo: ndërhyrja e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jugosllavi, në vitin 1990, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa përfillur mendimin e Moskës, ishte një shkelje e rëndë e parimeve të njohura mbi integritetin territorial të shteteve të pavarura e sovrane, mosndërhyrjen në punët e tyre të brendshme dhe paprekshmërinë e kufijve ekzistues. Shkurt, shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. E tillë ishte edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008.

Në përshtatje me mantrën putiniste, gjithë sistemi i politikës së jashtme ruse dhe strukturat e tij u vunë në kërkim të “argumenteve” që vërtetojnë se pavarësia e Kosovës nuk është as e ligjshme, as legjitime. U cituan nene, statute, ligje, konventa, marrëveshje dhe precedentë ndërkombëtarë që “dëshmonin” epërsinë e parimeve të integritetit territorial të shtetit dhe paprekshmërisë së kufijve ekzistues mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje. E drejta ndërkombëtare u shpall “ideologji e politikës së jashtme të Rusisë”.

Edhe radiacioni informativ i Kremlinit u vu në shërbim të mantrës putiniste. Pavarësimi i Kosovës u quajt si pjesë e projektit amerikan për kontrollin e Ballkanit dhe dëbimin e Rusisë nga ky rajon. Bashkimi Evropian u akuzua se i shkon pas Amerikës, në mënyrë të verbër, ndërkohë që Uashingtoni me strategjinë e “kaosit të drejtuar” synon dobësimin dhe përçarjen e vetë Evropës.

Në një përpjekje tjetër për të parandaluar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në Samitin e G 8, mbajtur në qershor 2007, në Hejligendamm, Vladimir Putini paralajmëroi vendet perëndimore se “shkëputja e Kosovës nga Serbia do të ishte një disfatë për krishtërimin në luftën e tij epike kundër islamit”. Ishte një tezë e huazuar nga diktatori serb, Sllobodan Millosheviq dhe e përhapur nga turbopropaganda e Institutit të Sllavistikës së Moskës, për ta paraqitur luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës, si luftë fetare dhe si përplasje midis civilizimit të krishterë, të mbrojtur nga Serbia dhe Rusia dhe atij mysliman, të mbrojtur nga shqiptarët. Perëndimi u akuzua se mori anën e “ekstremistëve” dhe “terroristëve” shqiptarë. Më vonë, Putini do të akuzonte Perëndimin për mbështetjen edhe të terroristëve që luftonin kundër Rusisë në Kaukazin e Veriut.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, turbopropaganda e Kremlinit kundër Perëndimit u intensifikua edhe më shumë, duke e akuzuar atë se, me paramendim, krijoi “precedentin”e Kosovës, i cili, gjoja, do të hapte “kutinë e Pandorës” të konflikteve separatiste, kudo në botë.

Shkaku kryesor i pakënaqësisë së Moskës me Perëndimin nuk ishte “bombardimi i Serbisë aleate”, as shpallja “e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, por refuzimi i kërkesës së Putinit për ta klasifikuar rastin e Kosovës, jo sui generis, por universal. Universalizimi i këtij rasti do të legalizonte të drejtën e Kremlinit për të ndërhyrë sa herë ta kërkonin interesat e tij në hapësirën ish-sovjetike. Pikërisht ky refuzim i perëndimorëve “e poshtëroi” keq Putinin, i cili si manipulues profesionist e fryu edhe më shumë “poshtërimin” rus, duke e bërë pjesë të rëndësishme të rrëfimit të tij antiperëndimor, në funksion të axhendës së tij politike, brenda dhe jashtë vendit.

Në atë fazë, strategjia e rrëfimit putinist antiperëndimor kishte disa objektiva. Ajo synonte: shfrytëzimin e “poshtërimit” si një narkotik politik për mobilizimin e shoqërisë ruse për t`u përballur me situatën e “kështjellës së rrethuar”; rikthimin dhe konsolidimin e pozitave të fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare; parapërgatitjen për “hakmarrjen” e madhe që Kremlini e konsideronte të pashmangshme.

Nga tre pjesët përbërëse të rrëfimit putinist antiperëndimor, që ftonin rusët për “hakmarrje”, ajo për Kosovën paraqitej si më e padhimbta dhe më e lehta për t`u realizuar. Duke qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Moska shfrytëzoi me zell instrumentin e vetos, kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ky instrument ishte i pafuqishëm ndaj zgjerimit të NATO-s dhe programit të mbrojtjes antiraketë.

Megjithatë, kur flitet për “hakmarrjen” ruse, duhet patur parasysh se ndërhyrjet e saj të armatosura në Gjergji dhe Ukrainë, të cilat paraqiten prej saj si të motivuara nga ndjenja e hakmarrjes për poshtërimin që, gjoja, i paska bërë Perëndimi në Kosovë, në të vërtetë, janë të frymëzuara nga interesat e saj shtetërore dhe të drejtuara, jo nga e shkuara e “fyerjeve” dhe “poshtërimeve”, por nga e ardhmja e saj si fuqi e madhe.

Pas ndërhyrjes ushtarake në Gjerogji, në gusht të vitit 2008 dhe njohjes së dy rajoneve të saj, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, si shtete të pavarura dhe sovrane, por sidomos, pas aneksimit të Krimesë dhe konfliktit të armatosur me Ukrainën, në vitin 2014 e në vazhdim, Vladimir Putini ka “zbuluar” parime dhe norma të tjera në të drejtën ndërkombëtare. Në intervistën e tij në gazetën “Bild”, Putini thekson: çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes; vullneti i popullit duhet respektuar gjithmonë; nëse një popull vendos të shkëputet nga shteti ku bën pjesë, nuk ka nevojë të merret leje nga autoritet qendrore; nuk kanë rëndësi kufijtë, as territori, por fatet e njerëzve.

Duke hequr paralele midis Kosovës dhe Krimesë, në këtë intervistë, por edhe në intervista e fjalime të tjera të viteve të fundit, Putini nuk nguron që t’i vlerësojë si “situata absolutisht analoge” dhe të ripërsërisë pyetjen, “në qoftë se u lejohet shqiptarëve të Kosovës, përse mos t’u lejohet edhe të tjerëve?” (Abhazisë, Osetisë së Jugut, Krimesë…I.L.)

Megjithatë, pas “analogjisë absolute” të këtyre dy rasteve, Putini konstaton se ato kanë edhe ndonjë dallim “ të vogël”. Sipas tij, Kosova e shpalli pavarësinë e saj më votim të parlamentit, ndërsa Krimeja me referendum. në logjikën e tij, ky dallim e bën rastin e Krimesë më të ligjshëm dhe më legjitim se atë të Kosovës. “Gjetja” e Putinit nuk është gjë tjetër, veç një shtrembërim e falsifikim i realitetit. E vërteta është se referendumi për pavarësinë e Kosovës është zhvilluar, që në shtator të vitit 1991, me tregues më të lartë se referendumi i Krimesë, sa i takon pjesëmarrjes dhe votës pro pavarësisë.

Për të argumentuar qëndrimet e veta, presidenti Putin i referohet Rezolutës se Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të vitit 1970, Mbi Parimet e Marrëdhënieve Miqësore dhe Bashkëpunimit midis Shteteve, Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966, si dhe pikës 2 të nenit numër 1 të statutit të OKB-së. Është e vërtetë se këto dokumente, sidomos, Deklarata mbi Parimet e Marrëdhënieve Miqësore dhe Bashkëpunimit midis Shteteve, mbështesin konceptin, sipas stë cilit, respektimi i tërësisë territoriale nënkupton sigurimin nga shteti përkatës të të drejtës së popujve për vetëvendosje dhe mospërdorimin e forcës shtetërore për t’i detyruar ata që të qëndrojnë në përbërje të tij. Gjithashtu, për të justifikuar referendumin e Krimesë dhe aneksimin e saj nga Rusia, Putini po i referohet edhe mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të datës 22 korrik 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së saj nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Por kur krahasohen qëndrimet e fundit të Putinit me ato të mbajtura në dy mandatet e para të tij, rezulton se kemi të bëjmë me një inkoherencë të dukshme, politike, juridike dhe morale të udhëheqësit rus.

Së pari, inkoherenca putiniste shfaqet në përdorimin selektiv dhe instrumental të ligjit ndërkombëtar, për dy raste që, siç i klasifikon ai Kosovën dhe Krimenë, janë “absolutisht analoge”. Në rastin e Kosovës, ai bëri “mbrojtësin” e paepur të së drejtës ndërkombëtare, nga pozita konservatore, statike. Në rastin e Krimesë, Putini bën “novatorin” e ligjit ndërkombëtar, nga pozita revizioniste, duke e konsideruar atë si një të drejtë në zhvillim dhe ndryshim.

Së dyti, Putini me qëllim i fut në një thes Kosovën dhe Krimenë, megjithëse ai e di fort mirë që, veç disa “analogjive” të sipërfaqshme, edhe ato të rreme, në thelb, këto dy raste nuk kanë asgjë të përbashkët. Siç dihet, Kosova, para se të jetë rast i vetëvendosjes deri në shkëputje, është rast i shpërbërjes me dhunë të ish-Federatës Jugosllave. Politika e spastrimit etnik dhe e terrorit te strukturuar shtetëror, të ushtruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, që çoi në ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, për të parandaluar katastrofën humanitare, si dhe 9 vjet protektorat ndërkombëtar, janë argumente shtesë, në favor të pavarësimit të Kosovës.

Në rastin e Krimesë, nuk kemi të bëjmë as më shpërbërje të shtetit ku ajo bënte pjese, pra të Ukrainës, as më spastrim etnik, as me terror shtetëror, por më shumë me rreziqe të supozuara, nga ana e Kremlinit.

Dallim tjetër thelbësor përbën fakti që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, ndërkohë që pavarësia e Krimese ishte jetëshkurtë, vetëm njëditore, sepse të nesërmen ajo u aneksua nga Rusia, në bazë të një referendumi, ku qytetarët krimeas, shprehën “vullnetin e tyre të lirë” në prani të tankeve dhe trupave ushtarake ruse.

Inkoherenca putiniste rreth Kosovës vazhdon më tej. “Analogjia absolute” e tij për Kosovën dhe Krimesë, injoron plotësisht fakte të tilla si Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, numër 68/262, datë 27.03.2014 “Mbi integritetin territorial të Ukrainës”, e cila nuk njeh rezultatet e referendumit të Krimese dhe aneksimin e saj nga Rusia e vlerëson si të paligjshëm. Nuk ka ndonjë dokument të kësaj natyre që shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, përkundrazi, kemi disa dokumente të Këshillit të Sigurimit dhe të AP të OKB-së, që konfliktin në Kosovë e kanë trajtuar në kuadrin e kapitullit të shtatë të statutit të OKB-së, si kërcënim për paqen e sigurinë ndërkombëtare, ndërsa mendimi këshillues i GJND-së e legalizon shpalljen e pavarësisë së saj.

Kulmin e saj, inkoherenca putiniste e arrin kur Presidenti rus deklaron se Krimeja është një çështje e mbyllur, e zgjidhur përfundimisht, ndërkaq, Kosovën jo vetëm që nuk e njeh, por ende e konsideron një çështje të pazgjidhur. Me paradoksin putinist, rasti i Kosovës justifikon, legalizon dhe legjitimon zgjidhjen e rastin të Krimesë, por jo atë për veten e saj. Kjo zgjidhje, sipas Putinit, duhet të bazohet në rezolutën 1244, kurse qëndrimi i Moskës ndaj kësaj çështjeje do të jetë i njejtë me atë të Beogradit. Për Putinin edhe pavarësimi i mikrorajoneve të Gjeorgjise, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, është një çështje e mbyllur, sepse si shtete të pavarura dhe sovrane, i njeh Rusia. Kaq mjafton. Për tjetër njohje nuk kanë nevojë. Se Tbilisi është kundër pavarësisë së tyre, nuk ka fare rëndësi. Se Kievi është kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia, as kjo nuk ka fare rëndësi. Ndërsa, që Beogradi është kundër pavarësisë së Kosovës, kjo po, ka shumë rëndësi.

Instituti i Sllavistikë në Moskë dhe ndonjë pseudoanalist serb në Beograd përpiqen ta shpjegojnë këtë qëndrim me “serbofilinë” ruse. Një tezë e tillë është krejtësisht e pathemeltë. E vërteta është se jo “ serbofilia”, por interesat shtetërore ruse e përcaktojnë qëndrimin e Kremlinit lidhur, me Kosovën. Aktualisht, këto interesa kërkojnë që ajo ta mbajë Serbinë të lidhur pas vetes. Së pari, për ta shfrytëzuar territorin e saj, në zemër të Ballkanit, për projektet potenciale infrastrukturore ruse, së dyti, për të mbajtur gjallë shpresat e Moskës që pozicioni “ në dy karrige” i Serbisë të anojë, gradualisht, nga Rusia, jo nga Bashkimi Evropian. “Mbështetja” e Putinit për Kosovën e mban të lidhur Beogradin pas Moskës.

Në plan rajonal, Rusia është e interesuar që, jo vetëm Kosova, por gjithë Ballkani të jetë i trazuar, i tensionuar dhe i çorientuar. Pavarësisht se vendet ballkanike, përgjithësisht, janë përcaktuar për integrim euroatlantik, Drejtoresha e Qendrës së Studimit të Krizës Jugosllave, pranë Institutit të Sllavistikës në Moskë, Elena Guskova, në një shkrim të sajin, të këtyre ditëve, shtron pyetjen: Tani që Rusia e ka bërë zgjedhjen e saj (kupto, kundër Perëndimit- I.L.), “cila do te jetë zgjedhja që do të bëjnë vendet ballkanike të traditës ortodokse…, Perëndimi, Rusia, apo politika famëkeqe “shumëvektorëshe”, që është sinonim i pafytyrësisë dhe mungesës së qasjes strategjike?”

Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, Zëvendëskryeministri rus, Dimitri Rogozin, paralajmëroi se, “në qoftë se Serbia e harmonizon politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, ju do të keni Këlnin tuaj këtu”.

Qëndrimi i ashpër rus ndaj Malit të Zi, i cili mori ftesën për anëtarësim në NATO, tashmë dihet. Edhe vlerësimi rus për protestat antiqeveritare, vitin e kaluar, në Maqedoni, si të nxitura e të frymëzuara nga jashtë, dihet.

Forcat më radikale dhe ultranacionaliste në Ballkan po marrin zemër nga mbështetja ruse. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, deklaroi se serbët, vërtet, dëshirojnë të jetojnë si në Perëndim, por “zemrat tona i kemi në Lindje”. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, deklaroi se tek Rusia e fortë sheh garancinë për sigurinë e serbëve.

Përvojën e “suksesshme” të referendumit të Krimesë, Instituti i Sllavistikës në Moskë, politikanë dhe dipolomatë rusë ua ofrojnë Malit të Zi për çështjen e anëtarësimit në NATO si dhe serbëve të Bosnjes dhe atyre të Kosovës për të drejtën e vetëvendosjes. Ndërkaq, Partia Radikale Serbe, shpreson se, ashtu siç u kthye Krimeja në gjirin e Rusisë, edhe “Kosova e Metohija”, me ndihmën e Moskës, mund t’u kthehen Serbisë.

Për arritjen e qëllimeve të veta, loja putiniste nuk ndalet as para aktivizimit të minave historike, me të cilat rajoni ynë është aq i pasur, siç janë konfliktet ndëretnike, grindjet territoriale ndërshtetërore, etj.

Jashtë Ballkanit, Putini vazhdon ta instrumentalizojë “precedentin Kosovë”, sidomos, në hapësirën ish-sovjetike. Absurditeti i logjikës putiniste arrin deri aty sa të pohojë se pavarësia e Kosovës çoi në konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainë. Historia e pasur ekspansioniste e Rusisë e hedh poshtë shumë lehtë këtë argument. Jo “precedenti i Kosovës”, por interesat gjeostrategjike, gjeopolitike dhe gjeoekonomike, e çuan ushtrine ruse në Gjeorgji dhe në Krime. Politikën dhe diplomacinë ruse, historikisht e kanë lëvizur dhe e lëvizin edhe sot, jo analogjitë dhe precedentët, por, interesat e saj si fuqi e madhe.

Së fundi, në plan më të gjerë ndërkombëtar, nuk përjashtohet që Putini të planifikojë shfrytëzimin e Kosovës si pjesë të një ujdie të madhe, në bazë të formulës së vjetër, quid pro quo. Në këtë kontekst, ai mund të ofrojë njohjen e Kosovës, në këmbim të njohjes nga Perëndimi të aneksimit rus të Krimesë.

Loja putiniste në Kosovë është pjesë e një loje më të madhe, që ai e ka nisur, që kur erdhi në pushtet, për rikthimin e statusit të fuqisë së madhe për Rusinë dhe zënien e një vendi “më të denjë” për të në hierarkinë e fuqive kryesore botërore.

Loja e tij me Kosovën u ka paraprirë aksioneve të tij ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Qëndrimet e tij, pa kompromis, gjatë procesit të statusit të Kosovës dhe përpjekjet e Rusisë për zgjatjen, pa fund, të bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje, kërcënimi i hapur i Moskës zyrtare se, nëse plani Ahtisari futet në agjendën e Këshillit të Sigurimit, Rusia do të ushtronte të drejtën e vetos, thirrja me urgjencë e Këshillit të Sigurimit për të dënuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe deklaratat për “hakmarrje”, pas 17 Shkurtit 2008, Perëndimi i mori si reagime normale të një vendi që, pavarësisht kundërshtimeve, “është si ne” dhe, herët a vonë, “do t’u bashkohet qëndrimeve tona për Kosovën”. Megjithëse u shfaq më qartë në rastin e Kosovës, koncepti se Rusia “është si ne” është më i hershëm. Ashtu siç konstaton me të drejtë studiuesja Julia Shevcova, rendi botëror pas “luftës së ftohtë” u ndërtua mbi premisën se Perëndimi, tashmë, nuk ka kundërshtarë ideologjikë dhe se “Rusia mund të bëhet partnere e tij”. U besua se demokracia në Rusi mund të ndërtohet e forcohet me ndihmën e tubacioneve të naftës dhe të gazit, me investime në fushën e industrisë dhe, përgjithësisht, me shtimin e lidhjeve ekonomiko-tregtare. Disa autorë postmodernistë vlerësuan se Rusia është e orientuar nga Evropa. Sipas tyre, kishte mbërritur ora e marrëdhënieve ndërkombëtare etike.

Edhe diskursi i një pjese të mirë të realistëve, nga pozita të kundërta me ato të liberalëve postmodernistë, në vend që të përmbante propozime për masa që do të çonin në frenimin e Rusisë, gjë që do të ishte e natyrshme për shkollën e tyre, përgjithësisht, ofroi qasjen e përshtatjes me Moskën.

Nga të dy krahët u kërkua që “të kuptohet Putini” dhe Perëndimi të përpiqet që me veprimet e tij të mos e provokojë dhe të mos e fyejë atë. U shfaq mendimi se Perëndimi ia ka më shumë nevojën Rusisë, se sa Rusia perëndimit.

E ndërtuar mbi iluzione, politika perëndimore injoronte ose nuk i vlerësonte si duhet, jo vetëm kërcënimet, por as veprimet agresive të Putinit. Udhëheqësi i Kremlinit kërkonte që Rusia të ndikojë në formësimin e ngjarjeve, sidomos, në “fqinjësinë e afërt” të saj. Që në mandatin e tij të dytë, Putini e formuloi këtë kërkese në dokumente të rëndësishme shtetërore, si në konceptin e politikës së jashtme, në strategjinë e sigurisë kombëtare etj., por askush në Perëndim nuk e mori atë seriozisht.

Reagimi perëndimor, pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe njohjes, nga ana e saj, të Abhazisë dhe Osetisë së Jugut si shtete të pavarura dhe sovrane, ishte krejtësisht retorik, por edhe retorika ishte e vakët. Asnjë lloj sanksioni nuk pati ndaj Rusisë. Përkundrazi, në Deklaratën e Samitit të NATO-s në Lisbonë, mbajtur në nëntor të vitit 2010, dy vjet pas konfliktit me Gjeorgjinë, u kërkua “forcimi i partneritetit ekzistues midis NATO-s dhe Rusisë” dhe u vlerësua se bashkëpunimi i tyre ‘ka rëndësi të madhe strategjike”. Perëndimi dhe Rusia vazhduan “biznesin”, si zakonisht. Kjo ishte ajo çfarë kërkonte Rusia nga Perëndimi: që të mos ndihej e fyer dhe e poshtëruar, duhej që të mos ndëshkohej, kur ajo të shkelte rregullat e lojës dhe ligjin ndërkombëtar. Kështu edhe ndodhi.

Pas vitit 2008, Rusia ia mori shtizën Perëndimit dhe vazhdoi realizimin e planeve te veta si fuqi e madhe, pa hasur ndonjë rezistencë serioze, nga ana e tij.

Bashkimi Evropian, i përfshirë në krizën e euros dhe atë institucionale, i zënë kryesisht me hallet e veta, shpresoi se “fuqia e ashpër” putiniste do të zmbrapsej para “fuqisë së butë” të saj. Siç argumenton Henri Kizingeri, kaplimi i kontinentit të vjetër nga ideja e “fuqisë së butë”, si qëllim në vetvete, kur të tjerët veprojnë në baze të parimit të “fuqisë së ashpër”, çon në çekuilibër.

Veçanës së gabuar konceptuale, në qëndrimin e Brukselit ndaj Rusisë kanë pasur ndikimin e vet negativ edhe disa elementë të tjerë. Një numër kryeqytetesh evropiane paraqiten të zbutura në raportet me Rusinë, për shkak të lidhjeve të veçanta historike me të. Si taktisien i rryer, Putini e shfrytëzoi këtë rrethanë për përçarjen e vendeve të BE-së.

Një pjesë tjetër sidomos e ashtuquajtura ‘Evropë e vjetër” harroi që, jo shumë larg, por vetëm një çerek shekulli më parë, trupat ruse kanë qenë te dislokuara në zemër të saj. Vladimir Putini nuk mund të mos përfitonte nga skleroza evropiane.

Në thellimin e përçarjes midis vendeve të Bashkimit Evropian, nuk janë pa ndikim as interesat ekonomike e tregtare të shteteve të caktuara me Rusinë, por jo rrallë, edhe ato personale. Personalitete të njohura perëndimore, si ish-kancelari gjerman, Gërhard Shreder, por jo vetëm ai, u përfshinë në biznese fitimprurëse me Rusinë. Udhëheqës të veçantë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si presidenti çek Millosh Zeman, u kthyen në apologjetë të politikës putiniste.

Por “suksesin” më të madh në thellimin e përçarjes evropiane, Presidenti rus e arriti me Kosovën. Pa mohuar “meritën” e tij në instrumentalizimin e “precedentit” Kosovë, ‘suksesi” putinist e ka bazën tek dobësia e BE-së. Brukseli nuk arriti të ketë një strategji dhe as një politikë të jashtme unike për Kosovën. 5 vende të BE-së u gjetën në një llogore me Rusinë – kundër pavarësisë së Kosovës. Duke zvarritur pa fund procesin e liberalizimit të vizave, Brukseli e ka kthyer Kosovën në një geto.

Izolimi dhe bllokimi i Kosovës në fushën ndërkombëtare është strategji putiniste, por dështimi i saj për anëtarësim në UNESCO, mban vulën edhe të disa vendeve anëtare të BE-së. Rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës, kërkon kthimin e kompetencave të UNMIK-ut, per Interpol-in dhe Evropol-in. Ndërkohë, dihet që forcimi i kompetencave të UNMIK-ut është një psallmë e politikës dhe

diplomacisë putiniste, e përsëritur në mënyrë rituale në mbledhjet periodike të KS të OKB-së për Kosovën.

Nuk ka qenë pa probleme as përdorimi i tepruar i “ambiguitetit konstruktiv’, nga ana e Brukselit, në procesin e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë. Veç keqkuptimeve midis palëve dhe implikimeve në situatën e brendshme, respektivisht, në Kosovë dhe në Serbi, ai i jep Moskës shkas për interpretime në favor të Beogradit.

Pavarësisht disa arritjeve në planin ndërkombëtar (marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, ajo për klimën etj.) as politika e Presidentit amerikan, Barak Obama, ndaj Rusisë, nuk mund të konsiderohet e suksesshme. I njohur si “hero i tërheqjes”, Presidenti Obama, la në heshtje një letër të disa personaliteteve te Evropës Lindore dhe Qendrore, në vitin 2009, që tërhiqte vëmendjen për rrezikun rus në rajon. “Rifillimi” i marrëdhënieve me Rusinë, po në vitin 2009, në kuadër të të cilit ai u tërhoq nga zbatimi i programit të mbrojtjes antiraketë në Poloni dhe Çeki, vlerësohet si një politikë e dështuar. “Durimi strategjik” i Obamës dhe “udhëheqja amerikane nga prapavija”, gjithashtu vlerësohen si strategji të dështuara. Deri në ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë prej saj, Presidenti amerikan e pati zhvendosur vëmendjen nga Evropa, duke ia besuar asaj problemet e sigurisë në kontinentin e vjetër. Edhe kjo rezultoi të jetë politikë e gabuar.

Duket se gabimi i Barak Obamës qëndron në atë që, në raportet e tij me shefin e Kremlinit, ai nisej nga kultura strategjike dhe kodi operacional i një presidenti demokrat të një vendi demokratik, si SHBA, ndërkohë që Putini përfaqëson sundimtarin e një shteti autoritar, me kulturë strategjike dhe kod operacional krejt tjetër.

Sa i takon Kosovës, krahasuar me Bashkimin Evropian, politika e Shteteve te Bashkuara të Amerikës ka qenë shumë më e vendosur dhe parimore. Megjithatë, në kuadrin e ‘filozofisë së tërheqjes”, gjatë mandatit të parë të Presidentit Obama, u fol për mbylljen e bazes amerikane në Kosovë, Bondstill, gjë që, në kushtet e mësymjes drejt Ballkanit të Rusisë së ringritur dhe ndërtimit prej saj të qendrës humanitare, në fakt të bazes ushtarake në Nish, do të ishte me pasoja negative afatgjata për sigurinë rajonale e më gjerë.

Duke qenë se, në SHBA, 2016-a është vit i zgjedhjes së presidentit të ri, shpresohet që kandidatët për president të nxjerrin mësimet e duhura, për t’ju ofruar zgjedhësve politika dhe strategji më të qarta e më të vendosura në marrëdhëniet me Rusinë. Pozat pro Putinit dhe komplimentet publike, të kandidatit Donald Trump për udhëheqësin rus mund t’i shkojnë për shtat një afaristi që kërkon të arrijë një ujdi fitimprurëse për biznesin e vet, por në asnjë mënyrë, Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Loja putiniste me Kosovën, instrumentalizimi i “precedentit” të saj dhe heqja e paraleleve të rreme mes Kosovës dhe konflikteve të tjera në hapësirën ish sovjetike, në mënyrë të veçantë me Krimenë, është bërë burim kërcënimi për sigurinë evropiane.

Ajo dëshmon se, pavarësisht ndryshimit të rrethanave, Kremlini vazhdon ta konsiderojë Ballkanin si sferë të interesave të tij strategjike, shumëplanëshe dhe afatgjata. Në logjikën e Kremlinit, ky rajon është pikë e nxehtë rivaliteti midis tij dhe Perëndimit, ku secila palë kërkon avantazhe gjeostrategjike.

Në këto kushte, është e domosdoshme që kthjellimi i Perëndimit për natyrën e vërtetë të regjimit putinist, i cili filloi me aneksimin rus të Krimesë, të vazhdojë më tej, për të shpërndarë përfundimisht iluzionet perëndimore mbi mundësine e bashkëpunimit me Vladimir Putinin, si me një partner apo aleat. Përkundrazi, sidomos, në raport me Ballkanin, ai duhet të konceptohet e të trajtohet si kundërshtar i egër i Perëndimit dhe i popujve të këtij rajoni.

Nga ky këndvështrim, politika e frenimit, duket se është instrumenti më efektiv ndaj kursit putinist në këtë rajon. Politikat e bashkëpunimit me Kremlinin, për të cilat po flitet edhe këto ditë, duhen parë me shumë rezervë, kudo, por sidomos në Ballkan, ato janë të rrezikshme.

Është për t’u përshëndetur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtimin e pranisë së saj ushtarake në Evropë, por forcimi i kësaj pranie është i domosdoshëm edhe në Ballkan, jo vetëm në Evropën Lindore dhe vendet balltike. Ruajtja e bazës amerikane në Bondstill dhe shikimi i mundësisë për ndërtimin e ndonjë baze tjetër, p.sh. në bregdetin shqiptar, do të ishin kontribut i rëndësishëm për forcimin e sigurisë e të stabilitetit të krejt rajonit tonë. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, balanca e fuqisë në Evropë dhe në Ballkan, anon nga Rusia.

Në funksion të forcimit të sigurisë rajonale do të ishte përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në NATO, anëtarësimi i Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës, si dhe krijimi i ushtrisë së Kosovës, përfshirja e saj në Partneritetin për Paqe dhe, në perspektive, anëtarësimi i plotë edhe i këtij shteti ne Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Pavarësisht problemeve të brendshme që po përjeton Bashkimi Evropian, është i nevojshëm një rifokusim i vëmendjes së tij ndaj Ballkanit Perëndimor dhe, në mënyrë të veçantë, ndaj Kosovës. Është pozitiv nënshkrimi i MSA-së midis BE-së dhe Kosovës, por efektet e normave dhe standarteve që përmban kjo marrëveshje janë, jo të shpejta. Kërkohen rezultate të prekshme sot, jo nesër apo pasnesër. Në këtë kontekst, Brukseli duhet t’u japë fund zvarritjeve të pajustifikueshme për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës.

Një hap tjetër konkret e kuptimplotë do të ishte njohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Në të kundërt, Brukseli do të humbiste edhe të drejtën morale për t’ua kërkuar këtë gjë të tjerëve, duke dëshmuar mungesën e unitetit dhe të kohezionit në rradhët e veta.