Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Belgjikës për Kosovë, Francois Bontemps, me ç’rast u ritheksua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet dy vendeve.
Siç njofton MIE, ministrja Hoxha e falënderoi Ambasadorin për përkrahjen e deritashme dhe mirëpret thellimin e bashkëpunimit me Belgjikën, për procesin integrues dhe zbatimin e prioriteteve të kësaj Ministrie.
“Kosova dhe Belgjika kanë bashkëpunim të shkëlqyer në rrafshin politik dhe ekonomik. Mirëpresim mbështetje nga shteti belg edhe në procesin e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe në agjendën integruese evropiane”, theksoi Ministrja Hoxha.
Kurse ambasadori Bontemps ka theksuar se Kosova dhe Belgjika kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme diplomatike. Ai ofroi mbështetje në procesin integrues të Kosovës, aspektet e veçanta të prioriteteve të zbatimit të MSA-së dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe agjendën evropiane.
Përvojat e procesit integrues, u tha në takim, kanë rëndësi për Kosovën sepse Belgjika duke qenë një nga aktorët qenësor të këtij organizmi që aspiron Kosova, mund t’i ofrojë mbështetje procesit duke e lehtësuar dhe përkrahur atë./Telegrafi/