KOSOVA MAKERS LEAGUE, që nga nëntori i vitit të kaluar ka zhvilluar Garën e Robotikës (KML OPEN) duke mbledhur fëmijë nga ekipe të ndryshme të shkollave fillore të Kosovës. Përgjatë garës së robotikës, fëmijët kanë koduar me gjuhën programuese – Scratch, duke përdorur kështu në shkollat e tyre robotët edukativ – mBot për të zgjidhur misione dhe sfida të komplikuara, e që në këtë vit, misioni i robotëve të tyre ka qenë udhëtimi në hapësirë.

Pasi që gjatë kësaj kohe është e vështirë që gara të vazhdojë me rrjedhën e saj origjianle, KML këtë muaj ka filluar të realizoj aktivitete edukative dhe argëtuese duke koduar me Sratch në të cilat fëmijët mund të angazhohen nga shtëpitë e tyre.

Scratch është gjuhë programimi vizuale e krijuar kryesisht për përdorim nga fëmjët me anë të cilës ata mund të programojnë histori të ndryshme, lojëra dhe animacione interaktive.

Dita botërore e Scratch, vitin e kaluar është shënuar më 11 Maj, megjithatë në këtë vit në tërë botën kjo ditë është transformuar në muajin e Scratch, muaj i veçantë ky, ku të gjithë përdoruesit e Scratch bashkohen në aktivitete të ndryshme për të festuar, luajtur e garuar.

Edhe KOSOVA MAKERS LEAGUE ka vazhduar me platformën edukative KML Scratch Explorers duke bashkuar mbi 120 fëmijë/nxënës të grupmoshave 7-15 vjeç nga ekipet pjesëmarrëse të Garë së Robotikës (KML OPEN).

Gjatë javës së parë, fëmijët janë inkurajuar të imagjinojnë mbi temën “Udhëtimi në Hapësirë”, ata me shumë entuziazëm, pasion dhe kreativitet kanë zhvilluar projekte, lojëra dhe animacione të ndryshme mbi temën dhe kanë ndarë ato me shokët dhe shoqet e tyre, për të garuar më tej për tri projektet më të mira.

Përgjatë tri javëve të ardhshme të muajit maj, fëmijët do të ftohen të zhvillojnë projektet e tyre në tri tema të rradhës: “Roboti im imagjinar”; “Mbrojtja e mjedisit” dhe “Filmi im i preferuar”.

Duke synuar rritjen e kureshtjes, zhvillimin e interesave dhe shkathtësive të ndryshme tek fëmijët, KOSOVA MAKERS LEAGEUE në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme përpiqet të kontribuoj dhe mbështesë fëmijët duke u ofruar atyre mundësi për edukim, socializim, lojë dhe argëtim.