Numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 10 mijë e 419 raste, ku prej tyre 341 kanë humbur jetën kurse janë shëruar 6 mijë e 58 të tjerë.

Por Kosova vazhdon të ketë numër të madh të vdekjeve në një milion banorë, krahasuar me disa nga vendet e rajonit por edhe botës.

Sipas një grafike të publikuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, Kosova në një milion banorë ka 184 vdekje, duke lënë mbrapa Gjermaninë e cila ka 110 vdekje në një milion banorë.

Më pak vdekje në një milion banorë se Kosova, ka edhe Portugalia e cila numëron 173 vdekje në një milion banorë, por duhet theksuar se Portugalia ka 10 milionë banorë kurse Kosova 1.8 milion banorë.

Shteti i cili ka më së shumti vdekje në një milion banorë, është Belgjika e cila prin me 851 vdekje nga COVID-19, shtet ky i cili ka më shumë se 11 milionë banorë.

Në shtetet e Ballkanit më së miri qëndron Kroacia me vetëm 39 vdekje në 1 milion banor.

Pas Kroacisë vijnë, Sllovenia me 62, Shqipëria me 70 vdekje, Serbia me 92, Mali i zi me 102, Bosnja dhe Hercegovina me 130 dhe Maqedonia e Veriut me më së shumti vdekje për një milion banor, gjithsej 253. /Telegrafi/