Kosova nuk ka alterantivë tjetër pos synimit që të jetë anëtare e plotë e NATO-s, organizatë kjo që i kishte dalë në mbrojtje 16 vjet më parë. Gjatë viteve të lirisë, Kosova dhe populli i saj i janë mirënjohës dhe respektues vendeve anëtare të organizatës më të fuqishme politiko-ushtarake në kohën moderne. Synimi për anëtarësim të plotë në të, është kthyer në një nxitës të domosdoshëm të reformave institucionale, shoqërore e politike.
Kosova filloi rrugëtimin e vet për liri, ndërsa NATO i qëndroi afër. Sakrifica e qindra-mijëra grave e burrave të Kosovës solli rrethanat e reja në gjendjen e atëhershme. Çlirimi i Kosovës ishte, përpos e drejtë historike, edhe nevojë e fillimit të demokratizimit të rajonit Ballkanik.
Të përballur me një regjim gjenocidial serb të prirë nga Millosheviqi, shqiptarët e Kosovës arritën të ndërtojnë momentumin sublim të fillimit të luftës çlirimtare. Kjo nuk ishte as e thjeshtë dhe as e pamenduar. Në fakt, kur popujt arrinë të organizohen për luftë çlirimtare, mund të shihet qartë se ka arritur po ashtu stadi më i lartë i kuptueshmërisë së thelbit të lirisë.
Jo rrallë popujt në vende të ndryshme kanë tentuar të çlirohen nga okupuesit. Por, arritja e luftës popullore çlirimtare kërkon vetëdijësim kombëtar e njerëzor. E tillë, në fakt, kanë qenë edhe periudha të mëparshme në historinë shqiptare të Kosovës. Që nga Lufta e Parë Ballkanike, përkatësisht pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Por, mbërritja e niveit të një lufte çlirimtare për herë të parë (pas rreth 80 vjetësh) u realizua në vitet 1998-99.
Edhe trasimi i rrugës politike për vetëdijësimin e opinionit ndërkombëtar rreth situatës së rëndë okupuese në Kosovë, që ndodhi përmes lëvizjes popullore paqësore, ishte një element i rëndësishëm në ndërtimin e kauzës sonë për liri. Edhe bashkëpunimi me shtetet perëndimore veç e veç, sikurse edhe me Shqipërinë, ishte një kontribut i veçantë për të ndërtuar momentumin e lirisë.
Bota demokratike, e tronditur nga politikat gjenocidiale nëpër Ballkan, ishte më e gatshme se asnjëherë më parë të ndalojë vazhdimin e logjikës së njëjtë, fashizmit të fundshekullit të 20-të. Ndërsa, populli shqiptar në Kosovë, i përballur për dekada të tëra me dhunë, plaçkë e spastrim etnik, ishte më i gatshëm se asnjëherë më parë të organizohet për sakrificën më sublime: luftën çlirimtare.
Lufta e nisur qysh më herët, sidomos në fund të vitit 1997 dhe me sakrificën heroike të Jasharajve në fillim-mars të vitit 1998, u zgjerua në Dukagjin në fund të marsit 1998, si dhe në tërë Kosovën në muajt në vijim. Në atë kohë, dilemat se regjimi i Millosheviqit duhet të shkatërrohet kishin marrë fund edhe në botën perëndimore demokratike.
Rendi botëror i asaj kohe kishte momentum tjetër nga ky i sotmi, po ashtu. Të përballur me politikat e gjenocidit të vazhdueshëm në Ballkan, shtetet demokratike filluan atë që quhet Diplomaci Imponuese. Në fakt, kjo diplomaci imponuese ishte e vazhdueshme për vite të tëra kundrejt regjimit të Millosheviqit, porse kishte arritur shkallë më të gjerë dhe më të avancuar.
Ndërhyrja e NATO-s, 16 vjet më parë, ishte jo vetëm e domosdoshme, por esenciale për ndalimin e regjimit fashist të Serbisë. Bombardimet, si pjesë e diplomacisë imponuese, ishin të pashmangshme, sikurse edhe arritja e lirisë për popullin e Kosovës.
Tashmë, 16 vjet më pas, Kosova vazhdon orientimin kah NATO-ja dhe demokracia. E për të arritur këtë, mbetet shumë punë përpara. Nuk jemi afër! Duhet qartësi dhe përkushtim. Duhet reforma. Duhet demokraci dhe zhvillim.