Kosova dhe Banka Evropiane për Investime kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit në vlerë prej 40 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat.
Ky projekt ka për qëllim të lehtësojë qasjen në financa për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), veçanërisht për të tejkaluar efektet negative të pandemisë COVID-19 për të shtyrë zhvillimin e sektorit privat dhe punësimin.
Financimi prej 40 milionë euro do t’i ofrohet Fondit Kosovar për Garantim të Kredive (FKGK) në formën e rritjes së kapitalit për të dhënë garanci kreditore për investime dhe kapitalin e punës së NVM-ve, duke u mundësuar atyre qasje në financim më të favorshëm.
Me rastin e nënshkrimit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo linjë garancie për Fondin Kosovar për Garantim të Kredive do të jetë thelbësore për të ndihmuar ekonominë drejt rimëkëmbjes.
Ndërsa, zëvendëspresidentja BEI, Lilyana Pavlova tha se pandemia COVID-19 ka ndikuar më së shumti te kompanitë e vogla të cilat kanë qasje të kufizuar në financim.
Si përfitues i këtij projekti, drejtori menaxhues i FKGK-së, Besnik Berisha tha se kjo marrëveshje vjen në momentin e duhur kur ekonomia e Kosovës po kalon periudhën e rimëkëmbjes dhe masat e tilla të drejtpërdrejta, që synojnë rritjen e investimeve private. /Telegrafi/