Site icon Telegrafi

Konjufca: Të rënët për liri do të nderohen sa të ketë komb shqiptar

Në vazhdën e nderimeve për të rënët gjatë luftës në Kosovë, anekënd vendit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëndroi sot në Nakaradë të Fushë Kosovës, për të nderuar martirët e familjes Mirena, në 22-vjetorin e vrasjes së tyre nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe.

Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial, Konjufca theksoi se kjo masakër dëshmon përmasat e gjenocidit që ka shkaktuar Serbia mbi popullin tonë.

Ai tha se përvjetorët e shumtë të masakrave që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, përbëjnë gjenocidin e shkaktuar nga Serbia mbi popullin tonë. Është shumë e dhimbshme, shtoi Konjufca, që kurrë s’ka pasur një proces të drejtësisë, të vërtetë, për të gjitha krimet e policisë dhe ushtrisë serbe mbi popullin e Kosovës.

“Të gjithë të rënët për liri do të nderohen dhe kujtohen sa të ketë komb shqiptar, ndërsa, ne si institucione, duhet të jemi pranë familjeve të martirëve dhe të dëshmorëve, të cilët e kanë dhënë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur. Po ashtu duhet të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur që Serbia të marrë dënimin e merituar”, tha Konjufca.

Natën e 21 prillit 1999, 16 burra e djem të familjes Mirena, forcat serbe i ndanë nga familjarët e tyre për t’i ekzekutuar e masakruar. Edhe pas dy dekadash nga kjo masakër, e urdhëruar nga shteti serb dhe e kryer nga ushtria e policia serbe, drejtësia nuk është vënë në vend.

Exit mobile version