LAJMI I FUNDIT:

Konfiskohen 122 kilogramë narkotikë në Pejë

Konfiskohen 122 kilogramë narkotikë në Pejë

Janë konfiskuar 122 kilogramë e 180 gramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë, një revole e tipit TT, 512 fishekë të kalibrave të ndryshëm, tremijë franga zvicerane dhe 660 euro.

Kapje e kësaj sasie është bërë dje nga Policia e Kosovës, në rajonin e Pejës, më saktësisht në komunën e Deçanit, gjatë operacionit të koduar “Fillimi”.

Bajram Nuhiu, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-DPP, ka thënë se dyshohet se mjetet e konfiskuara në Deçan nuk kishin destinacion vendin tonë.


“Dyshohet se destinacioni ka qenë për vendet perëndimore”, ka thënë ai, transmeton KP.

Në këtë rast janë arrestuar katër persona, ndërsa provat e tjera të lartpërmendura janë gjetur në dy lokacione të cilat janë bastisur.

Të arrestuarit mësohet të jenë të ri në moshë, ku më i vjetri është i lindur në vitin 1981.

Bajram Rexhepi, i pyetur për kritikat e dhëna kohë më parë, për dhomat e dëshmive, në të cilat edhe kanë ndodhur vjedhje, ka thënë se duhet krijuar baza ligjore në të gjitha fushat meqë drogat që konfiskohen është problem të ruhen në vende të sigurta.

“Unë kam kërkuar që pasi të kryhen rastet hetimore, të merren mostrat dhe pjesa tjetër të asgjësohet. Kështu bëjnë shumë shtete. Ne këtë drogë nuk kemi qëllim me përdorë dhe gjithnjë është një sfidë tek ai që e ka lakmi. Eventualisht na ndodhin vjedhje, por edhe nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për deponimin dhe sigurimin e tyre”, ka thënë ai.

Rexhepi ka përmendur një aksion nën ombrellën e Interpollit të quajtur “Pink” për trafikim dhe migrim legal, në të cilin ka marr pjesë edhe Policia e Kosovës, e që, sipas tij, kanë marrë lëvdata të mëdha për këtë aksion. /Telegrafi/