Konfirmohen shkeljet në tenderin e sinjalistikës

Sipas tij, gjashtë nga tetë pjesët e këtij tenderi janë vlerësuar si të jashtëligjshëm, të cilat, sipas tij, duhet të kthehen në rivlerësim. Në raportin e tij, i cili më 10 shtator të këtij viti i ka shkuar edhe Ministrisë së Infrastrukturës, thuhet se MI-ja në këtë tender gjatë vlerësimit të ofertave, nuk i ka respektuar as kriteret që vetë i ka vendosur.
Eksperti Duraku ka konstatuar se vetëm në procesin e vlerësimit MI-ja ka shkelur së paku katër nene të LPP-së. Përndryshe raport i vlerësimit është iniciuar nga ankesa e kompanisë “Road Sings & Marketing” (RSM), e shpërblyer me njërën nga tetë pjesët e këtij tenderi, por që u nda e pakënaqur që nuk mori më shumë pjesë, pasi që pretendon të jetë më e lira në shumicën e ofertave.
Kjo kompani, në ankesën e saj, pjesë të së cilës janë shënuar në raportin e ekspertit Azem Duraku konstaton se MI-ja ka bërë shkelje të rënda në këtë tender dhe ka zbatuar kritere të dyfishta në këtë tender që peshon mbi një milionë euro.
Për të njëjtin tender, kohë më parë “Zëri” ka raportuar krejt parregullsitë që e shoqëruan. Tenderi mbi njëmilionësh për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës u shoqërua me shpërblim të kompanive të papërgjegjshme, konflikte të njëpasnjëshme të interesit, ndërrim disa herë i komisioneve vlerësuese dhe tejkalim i afateve ligjore.
Telashet me të filluan 20 ditë pasi ishte formuar komisioni i parë për vlerësimin e 12 ofertave të kompanive që u interesuan për këtë tender, pasi që ky komision u shkarkua nga ana e sekretarit permanent të MI-së, Skënder Gashi, për shkak të moskryerjes së punës. Pas shkarkimit të komisionit të parë, sekretari Gashi ka formuar edhe komisionin e dytë, por edhe në komisionin e dytë ai ka futur njërin nga anëtarët e komisionit të parë i cili është shkarkuar për mospunë.
Në përbërjen e komisioni të fundit ishin edhe Bajram Bekolli, por kur erdhi koha të nënshkruhej vlerësimi përfundimtar, ky u gjend në pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të prokurimit, ku e miratoi vendimin për punën që e ka bërë vetë.
Tash MI-ja është në proces të përgatitjes së një përgjigje për këto konstatime të ekspertit. /Zëri/Telegrafi/




















































