Telegrafi

Komuna thotë se objekti i BIK-ut në Mitrovicë s’ka leje ndërtimi, pala tjetër deklaron të kundërtën

Objekti i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Mitrovicë tek rruga “UÇK”. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Problemi i ndërtesave dhe objekteve pa leje është gjithmonë i pranishëm në qytetet tona, e i njëjti qëndron edhe në Mitrovicë.

Një objekt i cili është në pronësi të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Mitrovicë, në rrugën “UÇK” saktësisht pranë shkollave të mesme të qytetit nuk ka leje ndërtimi, ka thënë drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim në Komunën e Mitrovicës, Edison Tërnava, shkruan Telegrafi.

Tërnava ka thënë se këtij objekti i’u ka ndaluar procesi i ndërtimit rreth një vit e gjysmë më parë.

“Objekti i Bashkësisë Islame nuk ka leje ndërtimi dhe ju kanë ndërprerë punimet që një vit e gjysmë”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar se BIK-u në Mitrovicë është duke u marrë me dokumentacionin për çështjen e lejes së ndërtimit.

“Bashkësia Islame është në procedurë duke u marrë me dokumentacionin për çështjen e lejes, por tek ne nuk kanë sjellë ende asgjë”, ka përfunduar drejtori Tërnava.

Ndryshe nga Komuna, Bashkësia Islame e Kosovës në Mitrovicë dha një përgjigje tjetër.

Drejtori i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Mitrovicë, Ekrem Avdiu për Telegrafin ka thënë se punimet janë ndalur për shkak të “pamundësive”.

“Nuk ka pengesa, punimet janë ndalur për shkak të pamundësive për të vazhduar, nuk i ka penguar askush”, ka thënë Avdiu.

Ai ka thënë se kanë leje ndërtimi nga Komuna, por që janë “çështjet teknike” arsyet pse janë ndaluar punimet, transmeton Telegrafi.

“Jemi krejt në rregull në këtë aspekt, vetëm janë të natyrës teknike pushimet e punimeve”, ka përfunduar drejtori i BIK-ut në Mitrovicë, Ekrem Avdiu.

Ndërsa, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, për këtë çështje për Telegrafin ka thënë se arsyet pse u ndërpriten  punimet ndërtesave apo objekteve janë mos-plotësimi i kushteve ligjore.

“Të gjitha ndërtesave apo objekteve të cilave u ndërpriten punimet, u ndërpriten për arsye se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të filluar ose vazhduar me ndërtimin e objekteve në fjalë. E njëjta vlen edhe për rastin që i referoheni”, ka thënë Brahimi.

Ai ka thënë se Drejtoria e Inspekcionit “nuk zhvillon negociata”, por sipas tij “e zbaton ligjin”.

“Drejtoria e Inspekcionit nuk zhvillon negociata, E zbaton ligjin”, ka përfunduar drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi. /Telegrafi/