Kolegji Zgjedhor shqyrtoi të enjten kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, për mosshpalljen e tabelës së rezultatit paraprak në njësinë bashkiake numër 5, KZAZ, 49 dhe tabelës përfundimtare për garën e Tiranës.

Kolegji rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike sipas së cilës pretendimet e PS-së nuk qëndrojnë pasi vendimi tashmë është marrë nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe aktpadia nuk ekziston.


Mbledhja u bë sot rreth orës 13.00, ndërkohë që kërkesa u bë një javë më parë.

Kërkesa e parë që partia socialiste i drejtoi këtij kolegji ishte që Kolegji Zgjedhor të miratojë rezultatin që doli nga kutia nr 485 e KZAZ-së 49, sipas të cilës kandidati i opozitës për bashkinë doli në avantazh me dhjetë vota.

Kërkesa e dytë ishte të shpallë të pavlefshëm proçedurën dhe vendimin e KQZ-së, datë 18 maj 2011, kur u vendos për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara pas të cilave kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha doli në krye me 81 vota më shumë se kandidati i opozitës, Edi Rama.

Ndërkohë PD-ja kërkoi të mos merren parasysh tabelat e KZAZ-së, 49.

Ky shqyrtim u krye nga katër gjyqtare, të përzgjedhura nga shorti, Entela Prifti, Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri dhe Marie Qiriazi. Përsa i përket përfaqësisë, PD u përfaqësua nga Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, ndërsa të pranishëm ishin edhe deputetët Eduard Halimi, Ilir Rusmajli. Ndërsa PS-ja u perfaqësua nga avokatët Eno Bushi, Arjan Salati, Damian Gjiknuri dhe i pranishëm edhe Eridian Salianji./Telegrafi/